ISIS-i vret një guvernator në Jemen

06/12/2015 12:20

Guvernatori i qytetit port të Adenit në Jemen ka mbetur i vrarë nga shpërthimi i fuqishëm që goditi autokolonën e makinave me të cilat udhëtonin si vetë Jaafar Mohammed Saad, ashtu dhe ndihmësit e tij.

Disa burime thonë se shpërthimin e shkaktoi një granatë raketore, çka nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Përgjegjësinë për sulmin e morën përsipër militantët e Shtetit Islamik. Grupi ekstremist ka një prani jo të vogël në Jemenin e munduar prej muajsh edhe nga një luftë e ashpër civile. Rebelët huthi, që për bazë kanë veriun e vendit, kanë arritur të marrin nën kontroll një pjesë të mirë të territorit, përfshirë këtu dhe vetë kryeqytetin Sanaa. por më herët gjatë vitit, trupat qeveritare të mbështetura nga koalicioni i drejtuar prej forcave saudite, arritën të rimarrin Adenin e pushtuar prej kryengritësve, çka u përshëndet si fitore tepër e rëndësishme.

Gjeneral-majori Saad u caktua guvernator i qytetit vetëm përpara dy muajsh. Posti i rëndësishëm iu besua për shkak të rolit kyç që Saad luajti në korrik për zbrapsjen e rebelëve huthi të mbështetur nga Irani. Vrasja e tij vjen një ditë pas takimit të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara në Jemen, Ismail Ould Cheikh Ahmed me presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi, të mbajtur pikërisht në Aden, në vazhdën e përpjekjeve për t’i dhënë fund 8 muajsh lufte civile në Jemen. Që kur koalicioni i udhëhequr nga sauditët nisi në mars fushatën për rikthimin në pushtet të qeverisë legjitime të vendit, sulmet ajrore dhe luftimet në terren i kanë kushtuar jetën më shumë se 5 700 personave.

OKB-ja shpreson që me mbështetjen e ish-presidentit Ali Abdullah Saleh, do të arrijë të organizojë më vonë gjatë muajit një raund bisedimesh mes përfaqësuesve të ekzekutivit dhe rebelëve huthi.

Top Channel