Avionët britanikë bombardojnë ISIS-in

03/12/2015 00:00

Avionët tip “Tornado” të Forcave Ajrore Mbretërore kanë kryer sulmet e para kundër Shtetit Islamik në Siri, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes në Londër.

Katër “Tornado” të aviacionit britanik janë ngritur nga baza Akrotiri në Qipro dhe kanë marrë pjesë në operacione, pak pasi Parlamenti votoi aprovimin e bombardimeve.

Sulmet vunë në shënjestër fushat me naftë në Omar, në lindje të Sirisë, që ndodhet nën kontrollin e ISIS dhe sipas sekretarit të Mbrojtjes, Michael Fallon, ishin të suksesshme.

Fallon kishte aprovuar personalisht objektivat e bombardimeve para se të mbahej votimi në Parlament.

Ditën e mërkurë, pas një debati që zgjati 10 orë, gjatë të cilit pati edhe polemika, ligjvënësit britanikë votuan me 397 vota pro dhe 223 kundër pro aksioneve ushtarake kundër ISIS, që tashmë identifikohet si Daesh, në Siri.

Fallon deklaroi se sulmet synojnë goditjen e aseteve të naftës nga të cilat varet Daesh. Sekretari i Mbrojtjes konfirmoi se 8 avionë të tjerë, dy “Tornado” dhe 6 “Tajfunë”, do të dërgohen në Akrotiri për t’iu bashkuar sulmeve.

Presidenti amerikan, Barack Obama ka përshëndetur votimin e Parlamentit duke e quajtur Britaninë si aleatin e saj më të ngushtë në luftën ndaj ISIS.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel