Rusia: Erdogan blen naftë nga ISIS; reagon Ankaraja: Vetëm shpifje

02/12/2015 17:45

“Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe familja e tij janë të përfshirë në kontrabandën e naftës të Turqisë me Shtetin Islamik”.

Deklarata është bërë nga funksionarë të lartë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, të cilët, duke folur gjatë një eventi në Moskë kanë ngritur akuza të reja ndaj qeverisë së Erdogan, pas rrëzimit të avionit rus.

Zyrtarët rusë deklarojnë se kanë zbuluar tre shtigje përmes të cilave nafta e ISIS arrin në Turqi.

“Janë konstatuar tre rrugë kryesore për transportin e naftës drejt territorit turk, nga zona të kontrolluara nga grupe të konsideruara ilegale në Siri dhe Irak”, ka deklaruar zv.komandanti i Shtabit të Përgjithshëm rus, Serghiei Rudskoi.

Nga ana e tij, Erdogan ka reaguar duke i cilësuar shpifje akuzat e palës ruse. “Askush nuk ka të drejtë të shpifë”, ka thënë presidenti turk, i cili megjithatë ka nënvizuar se nuk dëshiron një përkeqësim të marrëdhënieve me rusët.

Por sipas Rudskoi, ekzistojnë një rrugë perëndimore që çon në portet turke në Mesdhe, një tjetër veriore që çon tek rafineria në Patme dhe një tjetër lindore që çon në një bazë të madhe në qytezën Zhizdra.

Zyrtari i lartë rus ka deklaruar se, një pjesë e naftës së ISIS që mbërrin në Turqi është e destinuar për tregun e brendshëm dhe pjesa tjetër shitet jashtë shtetit për t’u rafinuar.

“Konsumatori kryesor i kësaj nafte që u vidhet pronarëve legjitimë, Sirisë dhe Irakut, del se është Turqia. Pas informacioneve të siguruara ka rezultuar se, klasa politike në pushtet, ku bën pjesë presidenti Erdogan dhe familja e tij, janë të përfshirë në këtë tregti ilegale”, ka shtuar zyrtari në konferencën për shtyp, që ishte e hapur edhe për gazetarët e huaj.

Top Channel