Masakër në Kaliforni; mbi 14 të vdekur në qendrën e personave me aftësi të kufizuar

02/12/2015 00:00

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur Kaliforninë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku janë shënuar viktima dhe disa të plagosur. Tre persona të armatosur, të veshur me antiplumb dhe me rroba ushtarake hapen zjarr në një qendër mjekësore për personat me aftësi të kufizuara në San Bernadino.

Shefi i policisë së zonës, Jarrod Burguan tha se janë të paktën 14 të vdekur, dhjetëra të plagosur si edhe shumë persona të evakuuar nga ndërtesa. Burguan deklaroi se nuk janë ende në dijeni nëse sulmi ka lidhje me terrorizëm.

Për policinë mbetet i paqartë motivi dhe fakti nëse ka fëmijë në radhët e viktimave, ndërsa sa i përket agresorëve, Burguan u rezervua në detaje teksa pohoi se ata janë larguar nga vendngjarja.

Investigimi për autoritetet e Kalifornisë sapo ka filluar për të zbardhur detaje të mëtejshme. Zona mbetet ende aktive dhe agjentët e policisë po përpiqen që të sigurojnë ndërtesën. Forcat speciale mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe bënë thirrje njerëzve që të mos i afrohen zonës.

Ndërkohë, babai i një vajze që punonte atje, tregoi për “CNN” mesazhin që e bija i dërgoi në telefon, teksa qëndronte e fshehur nën tavolinë për t’i shpëtuar agresorëve.

“Të shtëna me armë në punën time, ka njerëz të vrarë. Të gjithë po presin për policinë. Lutuni për ne! Unë jam mbyllur në zyrë”, shkruhej në mesazh.

Qendra ofron ndihmë për personat me aftësi të kufizuara si autizëm dhe probleme të tjera të shëndetit mendor. Atje janë të punësuar 670 persona, ndërsa në momentin kur ndodhi ngjarja vetëm 25 prej tyre ishin aty.

Të shtënat ne Kaliforni, vijnë pak ditë pasi një tjetër klinikë në Kolorado u sulmua, ku tre persona mbetën të vdekur dhe nëntë të tjerë u plagosën. Autoritetet kanë qenë të kujdesshme në lidhje me pistat e hetimit të ngjarjes.

Top Channel