Donald Trump, njeriu që lulëzon nën presion

02/12/2015 18:50

Sipas logjikës së thjeshtë politike, emri i Donald trump duhej të paraprihej nga termi ish-kandidat për president. Por dy javë para debatit final republikan të vitit dhe dy muaj para zgjedhjeve brenda partisë së vjetër, fushata e zhurmshme presidenciale e miliarderit njujorkez po lulëzon.

Kontradiktat dhe problemet që do t’i jepnin fund çdo politikani duket se nuk i bëjnë as edhe një gërvishtje Trumpi-t. Në fakt, duket sikur kandidati kryesor republikan e shkakton me dashje të gjithë këtë rrëmujë qoftë duke mbështetur deklarata të pavërtetuara se mijëra myslimanë festuan në Nju Jork sulmet ndaj Kullave Binjake, apo që administrata Obama kërkon të sjellë mbi 200.000 sirianë në SHBA mes të cilëve mund të ketë terroristë.

Analistët thonë se Trump po përfiton ndjeshëm nga trendi i ri për të kundërshtuar klasën e vjetër politike në një stinë zemërimi politik. Në fakt, duket se edhe mungesa e një opozite të bashkuar brenda Partisë Republikane i jep mundësinë atij që të grumbullojë gjithnjë e më shumë mbështetje.

Shifrat janë të qarta në këtë drejtim, pasi në sondazhin e fundit kombëtar ai prin në preferencat e republikanëve me 32 % për t’u ndjekur nga Ben Carson, rivali më i afërt me 22 %. Megjithatë, shumë analistë politikë thonë se është ende herët për të thënë se Trump do të triumfojë dhe se testi i vërtetë do të jetë dita e zgjedhjeve. Por asnjë prej tyre nuk e nënvlerëson miliarderin e zhurmshëm për të cilin thonë se do ta vazhdojë të habisë njerëzit.

Top Channel