Stamboll, shpërthim në një metro, një i vdekur

01/12/2015 00:00

Një shpërthim i fuqishëm në një kalim metroje pranë një stacioni në Stamboll, gjatë pasdites së të martës, la të plagosur të paktën 5 persona dhe një tjetër të vrarë. Shkaku i shpërthimit dyshohet të jetë një bombë e vendosur nëpër tubacione.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17 e 30 të pasdites pranë stacionit të “Bayrampasa”-së, në anën europiane të Stambollit. Disa autoambulanca dhe automjete të policisë u gjendën menjëherë në vendngjarje.

Guvernatori i Stambollit, Vasip Sahin tha se të paktën 5 persona u plagosën lehtë. “Shkaku i shpërthimit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por po vlerësojmë të gjitha mundësitë”, deklaroi ai.

Gazeta “Hurriyet”, duke cituar zyrtarë të sigurisë pa i identifikuar, bëri të ditur se shpërthimi erdhi si pasojë e një bombe. Agjencia e lajmeve “Dogan” njoftoi se bëhet fjalë për një bombë artizanale, megjithatë zyrtari i qeverisë nuk i konfirmoi këto raporte.

Rebelët kurdë që luftojnë ndaj Turqisë për më shumë autonomi në juglindjen e banuar kryesisht nga kurdë kanë ndërmarrë aksione të tilla në Stamboll gjatë së kaluarës. Megjithatë, luftimet mes rebelëve, pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, dhe forcave qeveritare kulmuan në korrik, duke lënë të vrarë mbi 100 persona dhe duke dëmtuar kështu procesin e brishtë të paqes që ishte duke u zhvilluar me përfaqësuesit e kurdëve.

Dy shpërthime kamikaze, të marra përsipër nga një qelizë lokale e grupit të Shtetit Islamik, vranë të paktën 130 persona në një qytet pranë kufirit me Sirinë në korrik, si dhe në kryeqytetin Ankara gjatë muajit tetor.

Agjencia e lajmeve “Dogan” shfaqi pamjet e një fugoni të bardhë në mbikalim, me vrima të mëdha në xhamat e tij mbrojtës, që me të gjitha gjasat janë shkaktuar prej shpërthimit. Shërbimet e metrove në “Bayrampasa” dhe në periferitë e tjera të Stambollit u ndërprenë brenda një kohe të shkurtër pas këtij shpërthimi.

Agjencia “Anadolu” identifikoi një person të plagosur të moshës 36-vjeçare, i gjinisë mashkullore, por njoftoi se ai nuk ishte në gjendje të rëndë për jetën. Ende nuk dihet nëse ai ishte në automjet gjatë kohës së shpërthimit.

Top Channel