Qeveria shqiptare duket se është e vendosur që të shkojë në Arbitrazh me kompaninë kanadeze “Bankers Petroleum”. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri la të kuptohet në Komisonin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese se ndasitë mes palëve janë të thella.
“Ne, nga auditet e kryera nga agjencitë e specializuara, kemi gjetur që ka kosto të fryra dhe ky është thelbi i konfliktit, që ka vajtur në Arbitrazh. Arbitrazhi nuk është gjë e paparashikuara, është në marrëveshje. Pra palët do e zgjidhin përmes ekspertëve dhe Arbitrazhit. Pala shqiptare po merr të gjitha masat për t’u mbrojtur dhe ka rekrutuar një nga kompanitë më në zë ndërkombëtare për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar”, deklaroi Gjiknuri.
“Bankers” akuzon se shteti shqiptar nuk po zbaton vendimin e Arbitrazhit që detyron Tatimet të zhbllokojnë llogaritë e saj në Shqipëri. Zoti Gjiknuri nuk komentoi mbi këtë çështje, por i quajti të papranueshme kërcënimet e kompanisë për mbylljen e prodhimit.
“Mbarëvajtja e prodhimit është shumë e rëndësishme. Nuk duam që asnjë kompani të lëshojë mesazhe të tilla që nuk duam, apo që do të krijojë probleme në prodhimin e naftës pasi kjo do të ndikonte në ekonomi. Nuk mund të pranojmë këtë gjuhë pasi nuk është e përshtatshme për ne”, shtoi ministri i Energjitikës.
Konflikti mes Qeverisë dhe “Bankers” kulmoi kur Tatimet bllokuan llogaritë bankare të kompanisë kanadeze pasi kishin marrë autorizimin nga gjykatat shqiptare për të mbledhur me forcë 75 milionë Dollarë. Ky është një detyrim që shteti shqiptar pretendon se kompania e ka shmangur, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimsiht duke shmangur pagesën e taksave, sikundër parashikohet në marrëveshjen koncesionare.
Por “Bankers” e çoi çështjen në Arbitrazh ku arriti të sigurojë një urdhër mbrojtje, që detyron autoritetet shqiptare të zhbllokojnë llogaritë deri në vendimin përfundimtar të Arbitrazhit. Deri më tani autoritetet nuk e kanë respektuar urdhërin e Arbitrazhit dhe një ditë më parë kompania tha se pas të mërkurës do të fillojë uljen e prodhimit në fushën e Patos-Marnizës deri në ndalimin e plotë të tij.
Top Channel