Papa nis etapën e fundit të turit afrikan

29/11/2015 11:20

Papa Françesku ka nisur etapën e fundit të turit të tij afrikan, me një vizitë në Republikën e Afrikës Qendrore, vend ky i gjunjëzuar nga dhuna mes rebelëve myslimanë dhe milicive të krishtera.

Ka pasur shqetësime për sigurinë e Papës para kësaj vizite, por vetë Ati i Shenjtë ka thënë se është i vendosur të japë një mesazh paqeje dhe shprese në vendin ku muajin e ardhshëm pritet të mbahen zgjedhje. Kjo është etapa e tretë dhe e fundit e udhëtimit të Papës, pas ndalesave të mëparshme në Uganda dhe Kenia.

Gjatë vizitës së tij, Papa do të mbajë një meshë në kryeqytetin Bangui, por pritet të takohet edhe me liderët myslimanë dhe të vizitojë një xhami në enklavën myslimane të qytetit të njohur si PK5. Në Uganda, Papa mbajti një meshë përpara mijëra njerëzve dhe foli në një kishë katolike që i dedikohej të krishterëve të martirizuar për shkak të besimit të tyre në shekullin XIX.

Mesha shënoi 50-vjetorin e shenjtërimit të martirëve. Të premten ndërkohë Papa iu drejtua të rinjve në kryeqytetin kenian Nairobi, duke u kërkuar atyre të bashkohen dhe të ngrihen kundër pasojave shkatërrimtare të tribalizmit.

Lufta ka gjunjëzuar Republikën e Afrikës Qendrore prej dekadash, por vetëm dy vitet e fundit luftimet kanë marrë formë fetare. Presidenti Fransua Bozize u rrëzua në një grusht shteti në mars të vitit 2013 dhe një grup i përbërë nga rebelë myslimanë nga veriu, Seleka, marshoi në Bangui, duke marrë për një kohë kontrollin e vendit.

Top Channel