ISIS, kurdët shprehen të gatshëm të marrin “hakun e Parisit”

23/11/2015 00:00

Sulmet ajrore të Francës në kryeqendrën e kalifatit të vetëshpallur islamik, Raqqa, nuk dihet sesa i kanë dëmtuar realisht pozicionet e militantëve të dhunshëm të Shtetit Islamik. Por, një gjë është e sigurtë – thotë CNN, – forcave kurde, që luftojnë në vijën e parë të frontit atje, u kanë dhënë shumë zemër.

14 raunde bombardimesh numëroi një luftëtar i njësive kurde “YPG”, në kohën kur Francois Hollande deklaroi fillimin e ofensivës ajrore franceze mbi qytetin sirian. “Pamë avionët e befas nisën bombardimet”, tregon për gjigantin mediatik amerikan, i riu i identifikuar vetëm si Bahoz.

“Na thanë se ishin francezët, që kanë filluar të sulmojnë”, vazhdon ai, duke e përshkruar këtë ndihmë si mëse të mirëpritur. “Ne këtu do të bëjmë sa mundemi për të marrë hakun e Parisit”, betohet luftëtari kurd.

Raqqaja tashmë është në fokusin e plotë jo vetëm të koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë këtu vet Francën, por edhe të ushtrisë ruse. Përgjatë gjithë vijës së frontit, – thotë CNN, – dëgjon vazhdimisht zhurma të mbytura shpërthimesh.

Kurdët janë të pozicionuar aty pranë, në gadishmëri për fillimin e ndonjë mësymjeje të mundshme nga toka. Forcat paraushtarake anti-ISIS po grumbullohen ngadalë në zonë, pohojnë burime nga njësitë luftarake “YPG”.

Por këta të rinj, që më shumë sesa shpagim për shokun e vrarë, luftën ndaj Shtetit Islamik e konsiderojnë detyrim ndaj njerëzimit, janë të keqarmatosur. Shumicës nuk i janë dhënë veçse disa pushkë shumë të vjetra automatike “AK-47”; njëri nga luftëtarët madje tregon se po përdor armën e një miku që vdiq në betejë përpara 8 muajsh.

Morali i kurdëve është megjithatë i lartë, – vazhdon CNN, – duke cituar njërin prej komandantëve peshmerga të pohojë se, nëse francezët, rusët apo amerikanët do të shkojnë atje për të luftuar, ata janë mëse të gatshëm të bashkëpunojnë e ta spastrojnë të gjithë zonën nga militantët e Shtetit Islamik.

Top Channel