BE rikthen kontrollet në kufi. Nuk i nxitën refugjatët, por ISIS-i

22/11/2015 00:00

Atë që nuk arriti dot kriza e refugjatëve, – thonë mediat gjermane, – tani po e bëjnë sulmet terroriste. BE-ja ka rivendosur kontrollet në kufijtë e jashtëm edhe për qytetarët e vet.

Në të ardhmen, të gjitha hyrjet dhe daljet duhet të regjistrohen dhe kontrollohen nga Sistemi Informativ II i Schengenit, SIS, pavarësisht nëse janë shtetas të bllokut apo jo, pavarësisht nëse kanë nevojë për vizë apo jo.

“Ne nuk mund të presim, derisa të ndodhë një tjetër tragjedi”, deklaroi ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve. Deri më tani, pasaportat e qytetarëve europianë janë kontrolluar vetëm rastësisht për vërtetësinë dhe vlefshmërinë e tyre, ashtu si dhe ato të shtetasve të vendeve të treta, të cilët nuk kanë nevojë për vizë.

“Ne duhet të dimë gjithashtu se, kush niset me avion nga Europa e kush kthehet sërish”, përsëriti për të disatën herë ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, duke iu referuar më së shumti udhëtarëve “xhihadistë”, apo “luftëtarëve të huaj”, që u bashkohen grupeve ekstremiste.

Ministrat ranë dakord, që marrëveshja të jetë gati deri në fund të vitit. “Të dhënat nuk do të ruhen vetëm një muaj, siç dëshiron Parlamenti, por të paktën një vit”, sqaroi Cazeneuve. Shërbimet e fshehta kanë nevojë për kohë, për të analizuar të dhënat dhe për të punuar me to.

Deri tani, të dhënat e pasagjerëve regjistrohen paraprakisht vetëm për fluturime në Shtetet e Bashkuara, por kjo do të ndryshojë, duke llogaritur edhe fluturimet brenda Europës.

Një pjesë të mirë të problemit, Hollanda e sheh te Greqia, e cila nuk arrin të mbrojë – sipas saj, – me efikasitet kufirin e jashtëm me Turqinë. Për këtë arsye, nga Haga erdhi propozimi i krijimit të një zone bërthamë të Schengenit, ku udhëtimi pa kontrolle të lejohet vetëm brenda vendeve themeluese: Luksemburg, Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Francë.

De Maiziere nuk pajtohet me një ide të tillë, të cilën e konsideron të vështirë për t’u vënë në praktikë, pasi Gjermanisë do t’i duhej të rivendoste kontrollet e pasaportave përgjatë të gjithë kufijve të saj lindorë dhe jugorë.

Ministrat e Brendshëm vendosën, që lëvizja e lirë në kufijtë e brendshëm të BE-së të ruhet fillimisht. Cazeneuve sqaroi megjithatë se, Franca do t’i mbajë kontrollet e saj me Belgjikën dhe Gjermaninë derisa rreziku terrorist të ketë kaluar.

Top Channel