SHBA paralajmërojnë Italinë për sulme terroriste; Roma e Milano në alarm

19/11/2015 00:00

Alarmi për akte të mundshme terrorizmi në Itali është shtuar shumë së fundmi. Sipas një raporti të Drejtorisë hetimore të Antimafias, FBI ka paralajmëruar se rreziku i atentateve në Itali është rritur, megjithsëse nuk ka sinjale të drejtpërdrejta kërcënimi.

Me sa dihet, pikat më delikate konsiderohen bazilika e Shën Pjetrit në Romë, ajo e “Duomos” në Milano dhe teatri “La Scala”, po në Milano.

Në dokumentin që ka mbërritur nga Shtetet e Bashkuara duket se nuk ka asnjë element kohor, ose të dhënë mbi llojin e mundshëm të atentateve. Megjithatë, në Milano janë dërguar menjëherë 250 forca shtesë.

Ndërkohë, në Itali po përgatitet edhe një plan i veçantë sigurie për periudhën e Jubileut të jashtëzakonshëm, që hapet pas pak javësh më 8 dhjetor, e që do të vazhdojë deri më 20 nëntor të vitit të ardhshëm në kryeqytet.

Përveç 700 forcave shtesë që do të jenë vigjilentë në pikat strategjike, parashikohet mbyllja e hapësirës ajrore mbi kryeqytet dhe forcimi i kotrollit të fluturimit të “drone”-ve.

Vetëm gjatë ditës së sotme, në Romë ka pasur dy alarme të rremë për bomba, në metropolitanë dhe në Ambasadën e SHBA-ve. Në të dyja rastet janë mbyllur rrugët përreth, si dhe disa stacione.

Top Channel