ISIS: Do të ngremë flamurin e zi në Vatikan; xhihadistët ekzekutojnë 2 pengje

18/11/2015 18:20

“I kërkojmë Allahut të mbështesë muxhahedinët kundër agjentëve të huaj dhe kryqëzorëve, derisa flamuri i Kalifatit të jetë ngritur në Stamboll dhe në Qytetin e Vatikanit”.

Është ky kërcënimi i Shtetit Islamik, i publikuar në numrin e fundit të revistës së tij, “Dabiq”.

Kërcënimi vjen pas sulmeve të javës së kaluar në Francë, ku rreth 130 persona humbën jetën dhe rreth 400 të tjerë u plagosën, por nuk dihet sesa seriozisht do të merret nga strukturat e sigurisë.

Ndërkohë, ISIS ka njoftuar edhe vrasjen e dy pengjeve të tij, një shtetasi norvegjez dhe një kinez.

Viktimat janë 48-vjeçari Ole Johan Grimsgaard Ofstad dhe 50-vjeçari Fan Jinghui, për të cilët xhihadistët kishin kërkuar një shpërblim dy muaj më parë.

Në revistën e tij, ISIS ka publikuar fotot që tregon trupat e dy pengjeve shoqëruar me diçiturën “të ekzekutuar sepse u braktisën nga kombet dhe organizatat kafir (të pafe)”.

Top Channel