Francë, kërkime masive për atentatorin e 8-të; Cazeneuve: 6 sulme të shmangura në verë

17/11/2015 09:20

Pasi i shpalli luftë Shtetit Islamik, Franca, që ka kërkuar ndihmën e aleatëve, po vazhdon bombardimet në Raka të Sirisë, bëjnë të ditur burime qeveritare lokale.

Ndërkohë vijon gjuetia për atë që mediatikisht njihet si atentatori i tetë, Salah Abdeslam, i konsideruar si shumë i rrezikshëm.

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve ka deklaruar se gjatë natës së fundit në të gjithë territorin francez janë kryer 128 kontrolle.

Përveç xhandarëve, policisë dhe ushtarakëve, 115 mijë njësi shtesë kanë zbarkuar në terren. “6 atentate të këtij lloji u shmangën vetëm në sezonin e verës”, ka thënë Cazeneuve.

Ndërkohë, eksperti i terrorizmit Dominique Rizet ka deklaruar se “shpërthyesi” i masakrave të Parisit është në duart e policisë belge.

Sipas Rizet, i mirinformuar mbi çështjet e inteligjencës, hartuesi i bombave është Mohamed Amir, 27 vjeç, i ndaluar gjatë operacionit të forcave speciale në lagjen Molenbek të Brukselit dhe njëkohësisht pronar i automjetit tip “Golf” e sekuestruar në rrugën “Dubois Thorn”, aktualisht në gjendje arresti.

Top Channel