Rrugëtimi i “xhihadistit Xhon”; nga një djalë i turpshëm, në makthin e perëndimit

13/11/2015 00:00

Mohammed Emwaz përfaqëson fenomenin e një djali të turpshëm, të dhënë pas fesë, që u kthye në një vrasës pa pikë mëshire, ku thika e tij ka prerë kokat e të paktën 7 pengjeve të kalifatit islamik. Dikur një adoleshent i apasionuar pas futbollit, jo rastësisht u kthye në një nga objektivat kryesore të sulmeve ajrore amerikane.

Mohammed Emwaz ishte një djalë i përkushtuar pas fesë. Ai ka lindur në Kuvajt në vitin 1988 dhe udhëtoi drejt Britanisë së Madhe në vitin 1994, kur ai ishte vetëm 6-vjeç. Shokët e klasës e përshkruan si një djalë të qetë, i përkushtuar ndaj besimit islam, ku i duhej të përballej edhe me problemet e adoleshencës si të gjithë bashkëmoshatarët, si dashuria e njëanshme apo ngathtësia në raport me vajzat.

Të tjerë e përshkruajnë si tipiku i protagonistit tek filmi “The boy next door”, si edhe një adhurues i serialit “the Simpsons”. Ai ishte një “djalë i dashur”, të pakten kështu shprehet ish-mësuesja e “xhihadistit Xhon”, por sipas saj, djali kshte nevojë për seanca të menaxhimit të zemërimit pasi nuk ishte në gjendje për të kontrolluar emocionet e tij.

Por, nga një djalë thjesht besimtar i rregullt, ai në moshën 13-vjeçare u bashkua me një bandë ekstremiste, pjesëtarët e të cilës shumica kanë vdekur, e ndërsa pjesës tjetër iu është ndaluar udhëtimi për t’u kthyer nga Siria në Angli. Ndoshta ky ka qenë edhe grupi që e udhëhoqi Mohammedin në rrugën e radikalizmit, pasi familja e tij përshkruhet si e qetë nga miqtë e afërt.

Prindërit e tij e kanë shpallur të humbur djalin e tyre në gusht të vitit 2013, pak kohë më vonë pasi ai ndodhej në Siri, edhe pse familja mendonte se i biri punonte në Turqi. Është pikërisht kjo maskë e zezë e cila i mbulon fytyrën që i ka dhënë mister figurës së “xhihadistit Xhon”. Autoritetet britanike dhe ato europiane i druhen faktit se mos një fenomen i tillë kthehet në shembull për të tjerë të rinj.

Mohammed Emwazi u kthye në makthin e perëndimit. Për analistët, ka ardhur koha për të shqyrtuar se çfarë mund të bëhet për të ndaluar të rinjtë myslimanë t’i bashkohen radhëve të xhihadistëve. Edhe pse sipas tyre, arsimimi ka një rol të madh për të luajtur, “xhihadisti Xhon” dëshmon se edhe një person i mirë arsimuar, mund të kthehet në një subjekt kriminal akoma edhe më të rrezikshëm.

Ata sugjerojnë edhe një punë më të madhe të agjencive të inteligjencës, që të shfrytëzojnë të dhënat elektronike në mënyrë që të ndalojnë fushatat e xhihadistëve për rekrutimin e të rinjve.

Top Channel