Samiti i Maltës, Avramopoulos: Afrika e BE-ja të punojnë bashkërisht, luftë emigracionit ilegal

11/11/2015 00:00

Në një kohë kur shumë persona janë duke braktisur vendbanimet e tyre për shkak të konfliktit civil në Siri dhe konflikteve të tjera në Lindjen e Mesme, një numër i konsiderueshëm emigrantësh që po u drejtohen Europës vijnë nga Afrika.

Kjo është edhe arsyeja, përse udhëheqësit e BE-së dhe ligjëvënës të Komisionit Europian janë duke mbajtur një samit dyditor në kryeqytetin e Maltës, Valeta, ku pjesëmarrës janë edhe rreth 30 shtete afrikane. Samiti nisi këtë të mërkurë dhe do të vijojë edhe përgjatë së enjtes.

Pritshmëritë nga ky samit janë të larta, por disa ekspertë theksojnë se, pavarësisht miliarda eurove që Europa është e gatshme t’i injektojë nëpër projekte të veçanta në Afrikë, ka ende shumë faktorë të tjerë që tregojnë se trajtimi në themel i shkaqeve të emigracionit do të jetë sërish një sfidë tepër e vështirë.

Europa është ende duke vuajtur për gjetjen e një përgjigjeje efektive ndaj krizës së refugjatëve, sfida më e rëndë ndaj Bashkimit Europian në të gjithë historinë e saj. Gjithsesi, duke parë rritjen e partive të ekstremit të djathtë në shumë shtete europiane, anëtare të BE-së, mbetet ende e paqartë nëse BE-ja është e aftë të implementojë reforma të përbashkëta dhe të qëndrueshme të azilit.

Në qendër të menaxhimit të krizës është vetë komisioneri i BE-së për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, i cili gjatë një interviste për “Euronews” ka folur më në detaje mbi samitin e Maltës.

“Pikë së pari dhe mbi të gjitha, ky samit po zhvillohet për të krijuar një pikëpamje të përbashkët të situatës, për sa kohë që kriza e refugjatëve dhe problemet e emigracionit vazhdojnë. Vendet afrikane duhet të kuptojnë se, për sa kohë që vijon ndihma jonë në aspektin e zhvillimit të këtyre vendeve, njëkohësisht edhe ne kemi nevojë për mbështetjen e tyre dhe ndihmën e tyre, në mënyrë që të menaxhojmë më së miri problemin e emigracionit. Ata duhet të pranojnë rikthimin e azilkërkuesve që iu është refuzuar diçka e tillë, në vendet e tyre dhe sigurisht të punojnë së bashku me ne për të krijuar rrugët ligjore për ata që vërtet duan të vijnë në Europë. Ndaj, meqë është rasti, dua të bëj një njoftim sot: gjatë dy muajve të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Europian do të paraqesë një propozim të plotë dhe gjithëpërfshirës për emigracionin e ligjshëm. Ndaj dhe, më lejoni të bëj të ditur edhe një tjetër gjë, që është mëse e sigurt: Europa do të ketë nevojë për emigrantët në të ardhmen”, ka deklaruar ndër të tjera eurodeputeti grek Avramopoulos, njëkohësisht komisioner për Emigracionin në BE.

Top Channel