Kinë-Tajvan, shtrëngim duarsh historik

07/11/2015 08:40

Udhëheqësit e Kinës dhe Tajvanit kanë shtrënguar duart për herë të parë që pas përfundimit të Luftës Civile Kineze, që përfundoi në vitin 1949.

Në Singapor, presidenti kinez Xi Jinping dhe ai tajvanez Ma Ying-jeou u takuan për të folur mbi promovimin e paqes dhe për të gjetur mënyra për të ulur armiqësinë mes dy vendeve.

Kina e konsideron Tajvanin si provincë të saj që një ditë do t’i kthehet.

Në kryeqytetin e Tajvanit, Taipei, kanë shpërthyer protestat disa orë përpara takimit. Një grup të rinjsh kanë tentuar të hyjnë në ndërtesën e Parlamentit të Tajvanit, por kanë hasur në rezistencën e forcave policore, të cilët edhe i kanë arrestuar më pas.

Protestat filluan menjëherë pasi Presidenti Ma mori rrugën drejt aeroportit për të shkuar në Singapor. Protestuesit mbanin në duar foto të të dy presidentëve të cilët më pas iu kanë vënë zjarrin.

“Si President i cili nuk përfaqëson mendimin e popullit, Ma nuk ka të drejtë të takohet me udhëheqësit përtej ngushticës”, u shpreh njëri nga protestuesit.

Një grup i vogël njerëzish pro-Presidentit Ma ishin mbledhur në aeroportin e Taipeit duke shprehur mbështetjen për takimin mes të dy liderëve.

Top Channel