Kompania rumune padit OSHEE-në; 5 mln euro të papaguara

05/11/2015 00:00

Një tjetër çështje civile pritet të vendosë në pozitë të vështirë Operatorin e Shpërndarjes së Energjise Elektrike.

Shoqëria rumune “SC Aem”, nëpërmjet kësaj padie që Top Channel disponon, i kërkon Gjykatës së Tiranës që të bllokojë llogaritë bankare të OSHEE-së për vlerën e 5 milionë e 311 mijë eurove.

Kërkuesi ka depozituar padinë për marrje mase të përkohshme, derisa mosmarrëveshja të zgjidhet në themel. Sipas padisë së “SC Aem”, OSHEE nuk ka respektuar kontratën e lidhur në muajt qershor-korrik 2011, për furnizimin me matësa induktivë.

Këto kontrata, sipas padisë, janë nënshkruar me afat njëvjeçar, por afati i tyre është zgjatur nga palët dhe në muajin shkurt të këtij viti, “SC Aem” dhe OSHEE kanë firmosur një marrëveshje me objekt furnizimin me bokse matës.

Shoqëria rumune pretendon para gjykatës se, pavarësisht se i ka përmbushur të gjitha detyrimet, duke kryer furnizimet përkatëse, OSHEE nuk i ka shlyer vlerën e mallrave të blera. Sipas paditësit, OSHEE-ja, në bazë të kontratës duhet ta paguante detyrimin prej mbi 311 mijë eurosh brenda datës 30 prill 2015.

Nga mospërmbushja e këtij detyrimi, sipas shoqërisë rumune, asaj i është shkaktuar një dëm prej 5 milionë eurosh. “Ne jemi përpjekur – thotë shoqëria rumune, – që ta zgjidhim këtë situatë me mirëkuptim, por nga OSHEE nuk është bërë asnjë përpjekje për shlyerjen e vlerës që na detyrohet, ndonëse gjatë kësaj kohe ka pranuar pa asnjë kundërshtim sasinë e mallrave të kërkuara”.

Top Channel