Strehimi i sirianëve në Gjermani, reagime kundër nga banorët vendas

04/11/2015 00:00

Tensionet po rriten në fshatin e vogël gjerman të Sumte-së, ku jetojnë vetëm 100 banorë, por ku gjatë ditëve në vijim pritet të mbërrijnë 750 emigrantë. Numri i të huajve do të jetë kështu 7 herë më i lartë se ai i vendasve, e kjo po ngjall jo pak shqetësim.

Grupi i parë prej gati 100 vetësh mbërriti të hënën në mbrëmje. Ndërsa të porsaardhurit nisën të sistemohen në ambientet e një blloku të papërdorur zyrash, një anëtar i Këshillit të komunës, njëkohësisht admirues i Hitlerit, Holger Niemann akuzoi Kancelaren Angela Merkel se injoron 300 mijë gjermanë të pastrehë për t’i siguruar banim, përfitime financiare dhe ushqim çdo personi, që thotë se është sirian.

“Sot janë 100 refugjatë, nesër do të jenë 100 të tjerë, e pastaj edhe 100, edhe 100 e kështu me radhë. Autoritetet rajonale thonë se do të vijnë 750, por unë jam i bindur që kanë për të ardhur 1.000. Do të ketë krime në këtë fshat, ashtu siç pati në fshatin fqinj pas hapjes së një qendre për strehimin e refugjatëve. Në Gjermani ka 3 milionë të papunë e 300 mijë të pastrehë, por qeveria është e interesuar të ndihmojë këta që vijnë. Dhe pjesa më e madhe nuk janë as refugjatë. Shumë njerëz nga Ballkani, Afrika dhe Azia thjesht po shfrytëzojnë situatën e Sirisë për të vërshuar këtu te ne”, tha Holger Niemann, partia UWL.

Organizata gjermane e bamirësisë “Arbeiter-Samariter-Bund”, e cila po kujdeset për ngritjen e kampit në Sumte, refuzoi të tregonte kombësitë e valës së parë të të mbërriturve në këtë fshat të hënën.

Të dhënat e OKB-së dhe agjencive të tjera të refugjatëve lënë të kuptohet se, sirianët përbëjnë 38% të emigrantëve të dyndur në Europë. Niemann pretendon se, vetëm 2% e atyre që kanë kaluar kufirin gjerman për të kërkuar azil janë vërtet nga Siria. Sipas tij, shumica e azilkërkuesve lakmojnë asistencën e 500 eurove në muaj, që do të marrin kur t’u jepet statusi i refugjatit.

“Këtu nuk ka punë, – shprehet ai. – Kështu që këta njerëz me ndihmë nga shteti do të jetojnë. Atyre do t’u jepen shtëpi, ndërsa gjermanëve vetë, një ndihmë e tillë u refuzohet. Qyteza e fjetur e Sumte-së është shndërruar në simbolin e përpjekjeve për t’i bërë ballë këtij fluksi të pashtershëm emigrantësh, por edhe pakënaqësisë që po ngjall një situatë e tillë”.

“Gjermanët flenë poshtë urave, por qeveria nuk i ndihmon, çdo gjë ua jep refugjatëve, – thotë një banor i moshuar. – Ky ishte një fshat i qetë, por tashmë do të ndryshojë përgjithmonë”.

Top Channel