NBA, Warriors e nisin me fitore mbrojtjen e titullit

28/10/2015 11:25

Golden State Warriors e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme mbrojtjen e titullit në NBA. Skuadra kampione në fuqi iu imponua me forcë New Orleans Pelicans në “Oracle Arena”, duke e mbyllur takimin me rezultatin 111-95. Përpara sfidës u zhvillua ceremonia e zakonshme e nderimit të skuadrës fituese të sezonit të kaluar, me shpërndarjen e unazave të kampionit të NBA, me lojtarët e Warriors që nuk ngurruan aspak të festonin në mënyrën e tyre.

Më pas, lojtarët zbritën në parket për të nisur sezonin e ri. Warriors e kontrolluan pa shumë probleme ndeshjen dhe ishin gjatë gjithë kohës në kryesimin e saj, gjë që konfirmohet edhe nga diferenca prej 16 pikësh me të cilën kjo skuadër mbylli 48 minutëshin. Steven Curry ishte i papërmbajtshëm në këtë ndeshje, teksa e mbylli atë me 40 pikë të shënuara, 7 asist dhe 2 blloqe, ndërsa në krahun tjetër, rivali i tij Anthony Davis shënoi vetëm 18 pikë.

Chicago Bulls dhe Pau Gasol fitojnë supersfidën e Konferencës së Lindjes me Cleveland Cavaliers. Nën vëzhgimin e presidentit Barack Obama, skuadra nga Ilinois arriti të fitojë takimin me rezultatin e ngushtë 97-95, ku sekondat e fundit të takimit ishin më emocionueset. Në “United Center”, momenti që vulosi suksesin e Bulls ishte bllokimi i Pau Gasol ndaj LeBron James, 3 sekonda përpara fundit të ndeshjes.

Në ndeshjen tjetër të NBA, Detroit Pistons mundi Atlantën në fushën e kësaj të fundit me rezultatin 106-94.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA