Letra, Spartak Braho dëshmon në Prokurori

06/10/2015 17:15

Për rreth 60 minuta, kreu Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, është marrë në pyetje nga prokuroja Antoneta Sevdari në lidhje me letrën e dërguar krerëve më të lartë të shtetit 10 ditë më parë, ku ai shkruan për skenarë destabilizmi të vendit.

Vetë zoti Braho nuk bëri asnjë deklaratë mbi ato që ka deklaruar në Prokurori.

Edhe nga organi i akuzës nuk ka asnjë njoftim nëse zoti Braho mund të ketë dhënë informacione të reja që mund të ndihmojnë  hetimin e kësaj çështjeje.

Burimet i pohuan Top Channel se deputeti Braho u është drejtuar ambienteve të oganit të akuzës me kërkesën e prokurores Sevdari pasi oficerët e policisë gjyqësore, të caktuar  për të marrë në pyetje protagonistët e kësaj letre nuk ndodheshin në Tiranë.

Dëshmia e Brahos në Prokurori vjen pas atyre të deputetit Tom Doshi, ish-ministrit Dritan Prifti dhe Vojsava Ismailajt, bashkëshortes së Kastriot Ismailajt, të dhëna në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës javën e shkuar. Mësohet se për këtë çështje do të merret në pyetje gjatë ditëve në vazhdim edhe vetë i arrestuari për aferën e DIA-s, Kastriot Ismailaj.

Javën e shkuar Prokuroria ia delegoi oficerëve gjyqësorë, marrjen në pyetje të protagonisteve të letrës së Brahos, e cila vendoste në fokus bashkëshorten e Kastriot Ismailajt me pretendimin se asaj i rrezikohej jeta pas një kërcënimi që kishte marrë.

Vetë zonja Ismailaj në intervistën e dhënë për Top Channel, përfshi deklarimet në Policinë e Tiranës, mohoi të jetë kërcënuar nga deputeti Tom Doshi.

Hetimet e nisura nga Prokuroria synojnë të hedhin dritë mbi të gjitha pretendimet e ngritura në letër nga Braho.

Mbetet e paqartë ende nëse letra është një nismë personale e deputetit Braho, apo  përmbajtja e saj është këshilluar me anëtarët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë, përpara dërgimit tek kreret e institucioneve më të larta në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA