LSI: Hetimi ndërkombëtar do të nxjerrë të palarat e ministrave të PD-së

25/09/2015 14:55

Lëvizja Socialiste për Integrim pranoi sfidën e hedhur nga kryetari i Partisë Demokratike për të mbështetur nismën e opozitës për një hetim ndërkombëtar për çështjen “CEZ”.

Në një dalje për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Ylli Manjani, pasi i cilësoi shpifje dhe vepra penale deklaratat e Lulzim Bashës, tha se LSI mbështet fuqishëm hetimin ndërkombëtar të kësaj çështje, biles që nga mënyra sesi ka ardhur CEZ e deri kur ajo është larguar, përfshirë këtu atë me kompaninë DIA.

“Po! E mbështesim fuqimisht hetimin ndërkombëtar, mundësisht me prokurororë amerikanë. Mbështesim hetimin e çështjes CEZ që nga fillimi deri në fund, çdo detaj. Si erdhi? Kush e solli? Çfarë ecurie ka patur CEZ? Si u lidh kontrata me DIA-n dhe me 7 të tjera si puna e DIAs?”, tha Manjani.

Ai tha se nisma e Bashës dhe hetimi i plotë i aferës së CEZ është një katarsis brenda vetë opozitës, pasi do të dalin në pah emrat e ministrave që janë përfshirë në këtë skandal.

“E përshendesim PD, e cila ka marrë një nismë që duhet përgëzuar për të bërë katarsis, apo pastruar PD nga ish-ministra dhe ish-kryeministri. Pse të mos e mbështesim? Duhet mbështetur sepse nëse kjo nismë do të shkojë deri në fund dhe duhet të shkojë deri në fund. Patjetër që do të dalin shumë të vërteta. E mbështesim këtë hetim për këtë dhe për çdo rast tjetër. Do kërkojmë të kemi sa më shumë prokurorë të huaj në vendin tonë”, deklaroi Manjani.

Në fund, Sekretari i LSI-së deklaroi se kjo forcë politike mbështet çdo formë hetimi ndërkombëtar dhe çdo asistencë të ofruar si për dekriminalizimin, ashtu edhe për reformën në drejtësi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA