Refugjatët dynden në Slloveni, kryeministri: Nuk do kthehemi vend tranzit

17/09/2015 19:15

Pas Hungarisë dhe Kroacisë, mijëra refugjatë të dëshpëruar për të arritur Europën i janë drejtuar Sllovenisë, e cila po përballet me një fluks në rritje emigrantësh.

Në Kroaci numërohen 6 mijë persona, që kanë kaluar kufirin. Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë regjistruar, ndërkohë që ministri i Brendshëm, Ranko Ostojiç u shpreh se situata është nën kontroll.

Sipas tij, nëse fluksi vazhdon të rritet, atëherë duhet që qeveria të marrë të tjera masa. Por edhe Sllovenia nuk ngeli jashtë kësaj vorbulle. Kryeministri Miro Cerar deklaroi se, vendi do të respektojë rregullat e zonës “Schengen”, gjithashtu do të pranojë edhe kërkesat për azil, por nuk do të lejojë që Sllovenia të kthehet si një vend tranzit për refugjatët.

Ndërkohë, Norvegjia ka premtuar 7.6 milionë dollarë ndihma për të mbështetur refugjatët në Serbi dhe Maqedoni. Ministri i Punëve të Jashtme, Borge Brende përgëzoi autoritetet serbe për bujarinë e treguar ndaj emigrantëve, edhe pse situata ekonomike atje është tepër e vështirë.

Por, edhe pse mikpritës, nuk kanë munguar konfliktet në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë.

E njëjta situatë e rënduar në kufi vazhdon edhe për Gjermaninë e Austrinë. Qeveria e Berlinit ka pranuar 800 mijë refugjatë, të paktën 4 herë më shumë sesa çdo shtet tjetër europian.

Top Channel