foto ilustruese

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.

Vatrat aktive janë:

* Dajt, Tiranë – vijojnë vatra aktive në drejtim të Qafë-Priskës. Ditën e djeshme u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Vajkal, Bulqizë – zjarr aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor. U angazhuan 11 forca MZSH, 5 pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë.

* Lundre, Mat – vijon zjarri në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; u angazhuan 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter.

* Ura e Shtrenjtë, Shkodër – vatër aktive në terren të thepisur; po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.

Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Top Channel