“Vrimat e zeza” e kanë një rrugëdalje

26/08/2015 00:00

Shkencëtarët besojnë masivisht se graviteti në qendër të “Vrimës së Zezë”, formacioni qiellor që formohet pas shpërthimit të një ylli të plakur, është aq i madh saqë nuk përçohet as nga drita.

Kjo do të thotë se çdo trup a objekt që përfundon në një “Vrimë të zezë”, mbetet aty përgjithmonë, pa asnjë rrugëdalje.

Por, Stephen Hawking, shkencëtari i njohur britanik, ka dalë këtë javë me një teori të re, që thotë se mund të shpëtohet nga “Vrimat e zeza”.

Ai thotë se trupat e përthithur nga “Vrimat e zeza” ose përfundojnë në formën e një hologrami dydimensional në skaj të tyre, ose në një tjetër univers.

“Të dhënat sugjerojnë se kjo mund të jetë e mundur. Vrima duhet të jetë e madhe dhe nëse është në rrotullim, mund të ketë një shteg për në një univers. Pra nëse hyn në një vrimë të zezë, mund të përfundosh në një tjetër univers, ose një hologram dydimensional në skaj të vrimës së zezë, por nuk ka kthim pas për në universin tënd”, deklaroi shkencëtari britanik.

Top Channel