Mesa duket ditë më të mira vijnë për Silvio Berlusconi-n, i cili jo pak herë ka qenë i përfshirë në skandale të mëdha.
Gjatë një darke në një restorant në Romë, ish-kryeministri italian i është shprehur miqve të tij, se e ka të ardhmen e sigurt si ministër për qeverinë e Vladimir Putin. Sikurse raportojnë mediat ndërkombëtare, Berluskoni ka thënë:
“Këtu në Itali konsiderohem si kriminel e ndërsa në Rusi po më japin një shans të artë. Madje mendoni, Putin më ka siguruar jo vetëm lejen e qëndrimit, por edhe pozicionin e ministrit të Ekonomisë”.
Me tone dashamirëse, miliarderi 78-vjeçar është shprehur se e ardhmja e tij, i përket atij pozicioni, krah shokut të tij më të mirë. Pavarësisht se kjo deklaratë ka ngjallur dyshime, e vërteta është se Silvio Berlusconi dhe Vladimir Putin janë miq të konsoliduar prej një kohe të gjatë, ku i ka bashkuar lidershipi i vendeve respektive, thuajse një dekadë më parë.
Në muajin qershor, gjatë një vizite në Romë nga udhëheqësi rus, kreu i Forza Italia u zotua se partia e tij do të punojë që Rusisë t’i hiqen sanksionet. Madje, flitet se të dy liderët së bashku me një grup miqsh, kalojnë fundjava në malet piktoreske ruse të Altait.
Ndërsa ende nuk ka një konfirmim nga Moska për një ofertë të tillë, një tjetër histori të bën të besosh se ku ka zë, nuk është pa gjë. Dy vite më parë aktori francez Gerard Depardieu, u bë mik i ngushtë me Putin pasi kritikoi hapur qeverinë e tij për taksat e larta ndaj shtresës së pasur. Sot Depardieu zotëron edhe pasaportën ruse, përveç nacionalitetit francez.
Top Channel