Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula janë fituesit e “Top Fest 12” me këngën “Shko”. Ata ishin fitues edhe të dy çmimeve të tjera, “Kënga më e dëgjuar në My Music” dhe “Best Male”.
Pas triumfit, tre këngëtarët u shprehën shumë të lumtur, teksa thanë se ishte çmimi i parë për ta edhe pse kanë marrë pjesë në edicionet e shkuara të festivalit.
“E kam filluar karrierën 11 vite më parë pikërisht në “Top Fest” dhe jam shumë i lumtur që në edicionin e fundit dolëm fitues. Kjo ka qenë një ëndërr e imja”- tha Ermal Fejzullahu.
“Top Fest 12”, pas një rrugëtimi muzikor 4 mujor u finalizua mbrëmjen e së dielës me finalen e madhe, e cila u mbajt në një atmosferë të jashtëzakonshme në Pallatin e Kongreseve dhe u transmetua drejtpërdrejtë në Top Channel. Performanca e finalistëve e ndërthurur me spektaklin e dhuruar nga të ftuarit, emra të njohur të skenës shqiptare, kërcimi dhe surpriza të shumta e bënë këtë mbrëmje madhështore.
Kjo finale e prezantuar nga Ledion Liço dhe nga Dojna Mema, nisi ndryshe. Këtë herë, Ledioni mori mikrofonin në dorë jo vetëm për të prezantuar, por edhe për të kënduar, duke i dhënë mundësinë publikut në sallë dhe atij që e ndoqi përmes ekranit, ta shihnin atë në një performancë ndryshe në hapjen e finales.
Nga qindra artistët që u paraqitën në këtë edicion, vetëm 29 prej tyre mbërritën në dy gjysmëfinalet, ndërsa 12 ishin ata të cilët garuan për çmimet e këtij edicioni.
Aslaidon me këngën “Vetëm do ia dal” ishte fitues i çmimit “Artist To Watch”, ndërsa çmimi “Kënga më e mirë Rock/Alternative” shkoi për Petrit Çarkaxhiun me këngën “Gegë & Toskë”.
Beatrix Ramosaj me këngën “Dhoma 609” ishte fituese e dy çmimeve, “Artistja më e mirë femër” dhe e çmimit të “’Top Albania Radio”.
Për t’u veçuar në natën finale ishte edhe mbërritja me helikopter e reperit Noizy, i cili pasi performoi së bashku me Elgit Doda këngën “Vetëm ti je”, mori dy çmime “Most social artist”, si dhe “Best Hip Hop”.
Traditë e “Top Fest”, për vite me radhë, ka qenë dhe dhënia e një çmimi nga banorët e shtëpisë më të famshme në Shqipëri, nga banorët e ‘Big Brother Albania’. Ndryshe nga vitet e tjera, ky “Top Fest” i gjeti banorët brenda shtëpisë dhe nga aty, në një lidhje surprizë për ta, drejtpërsëdrejti ata u bënë pjesë e dhënies së çmimit “Kënga më e dëgjuar në My Music”. Ky çmim shkoi për Ermal Fejzullahu, Lumi B dhe Ledri Vula, të cilët ishin fitues edhe të çmimit “Best Male” edhe fitues të çmimit të madh. Ndërkohë “Kënga më e mirë Pop” shkoi për Kastro Zizon.
Për të dhënë çmimin “Topfestifundit” këtë herë në skenë u ngjit Lori Hoxha, producente e këtij festivali. Ky çmim shkoi për Eugent Bushpepan me këngën “Pranë finishit”. Ndërkohë, çmimin “Balada më e mirë” e mori Stenald Mehilli me “Flas me diellin”.
Grupi “Troja” me këngën “Demokraci” dhuroi një performancë” të veçantë, ndërsa meritoi çmimin “Best Video”.
Në këtë mbrëmje u zbulua dhe enigma për të shumëpërfolurën e këtyre katër muajve, “Top Festi fundit”. Në të vërtetë është vetëm fillimi i “Top Awards”.
Top Channel