Një histori e rrallë pas tunelit Tiranë-Elbasan

25/05/2015 00:00

Kalimi i shpejtë në aksin e ri që lidh Tiranën me Elbasanin, e bën ndoshta të vështirë kapjen e gjithçkaje përreth. Duket si një Shqipëri tjetër, që nuk ka lidhje me realitetin shpesh të pamundur e të harruar, ku dergjen mjaft zona e komunitete.

E megjithatë edhe këtu, pas imazhit në dukje perfekt, fshihet shumëçka. E jo larg, por shumë, shumë pranë. Shëngjini është fshati i parë, që ngrihet pas tunelit, ndërsa rruga vazhdon përmes kodrash drejt Dopajt. Ky është stacioni i fundit, ku makina mund të shkojë.

“Është vetëm 1 km nga tuneli, që lidh Tiranën me Elbasanin. Gjormi i ka të gjitha për të qenë një destinacion turistik, ndryshe nga sot, kur shumica e banorëve duhet të largohen apo të jetojnë me vështirësi të shumta ekonomike”.

Rrugëtimi në këmbë bëhet edhe më ironik, kur me sy të lirë mund të shohësh gjatë gjithë kohës autostradën Tiranë-Elbasan. Sa afër dhe larg saj, ky realitet.

Pas mëse 30 minutash, jo për shkak të largësisë, por rrëpirave dhe përrenjve që presin rrugën, ndodhemi në Gjorm, fshatin pjesë të komunës Gracen.

“S’ka rrugë këtu te ne. Ne vijmë në këmbë prej qendrës deri këtu. Në këmbë erdha, me fëmijët e vegjël”, thotë një banore e zonës.

“Në kohë të mirë qarkullohet më lehtë, por në një ditë dimri, këtu vështirësitë janë të mëdha. Kemi disa përrenj përpara dhe ka raste, që edhe familje të tëra, dimri mund t’i zërë edhe pa bukë, pa miell në shtëpi”, thotë Mustafa Zorba.

Natyra është e mrekullueshme. Masivet e pyjeve shkrihen me majat e maleve, e mes tyre shtëpitë, që duken po aq të vjetra sa edhe rrudhat e shkëmbinjve. Natyrshëm, asnjë prej tyre nuk është restauruar. Ndonjë meremetim i vogël, duke sjellë gjithçka me kafshë, por vetëm kaq.

Fshati dikur ka pasur më shumë se 150 banorë, sot ka rreth 40. Nëse dikush do të pyeste se, pse do të duhej një rrugë për një komunitet kaq të vogël, janë ata vetë që japin një përgjigje.

“Kjo zonë ofron një shumëllojshmëri mundësish dhe këta njerëz nuk kanë absolutisht asnjë mundësi. Unë personalisht kam pasur raste, kur kanë qenë këtu investitorë seriozë dhe për mungesën e një plani zhvillimi janë tërhequr”, shprehet Liljana Gjoka.

Edhe pse mund të duket e çuditshme, këtu varfëria është ulur këmbëkryq. Ka mbi 24 vite, që askush nuk mendon për këtë zonë. Banorët përpiqen, kush me ndonjë bagëti, e kush tjetër me ndonjë copëz toke, të sigurojnë mbijetesën. Kaq e asgjë më shumë.

“Shumë fjalë janë thënë e janë premtuar, por asgjë. Rrugën që patë ju, që erdhët deri këtu, e ka bërë vetë fshati me paratë tona. Është thënë që do të na ndihmonte shteti, po asgjë. Faktikisht, nga autostrada e deri në qendrën tonë bëhet fjalë vetëm për 1 km rrugë. Shteti s’e ka vënë fare ujin në zjarr për këtë punë. Çfarë mund të them unë më tepër?”, thotë Sulejman Plakalliu.

“Njerëzit merren me blegtori, por ka një papunësi të madhe, jetojmë në varfëri. Nuk kemi me çfarë merremi. Vetëm kur ka votime vijnë ata; vijnë për vota, ndërsa për gjëra të tjera nuk vijnë”, tregon Leme Plakalliu.

Edhe ata që merren me kultivimin e duhanit nuk kanë një fat më të mirë.

“Po kemi 3 vite dhe nuk e kemi shitur duhanin. Shkojmë në treg, por nuk ecën fare; sigurojmë 200-300 lekë, por duhet të shkosh 10 të diela radhazi ta shesësh. As për rrugën nuk na del. Nuk kemi me çfarë të mbahemi, veçse një përkrahje sociale. Fëmijët duan të hanë, ne po ashtu, të bie ndonjë e mirë apo e keqë, të gjitha mezi i përballojmë”, thotë Etleva Bunga.

Historitë e banorëve përsërisin njëra-tjetrën, ndoshta sepse fati është i njëjtë. Jetojnë në një zonë, që në çdo vend të botës do të ishte e tejmbushur, në mos me hotele, të paktën me shtëpi-pritjeje e lokale, ndryshe nga Shqipëria, që e shikon këtë fshat të mbushur me pamundësi.

Një burim me një pamje të rrallë, që banorët e njohin si “Gurrën e Gjormit”, forcon besimin tonë për mundësitë turistike të këtij fshati. Edhe ajo mbetet e izoluar dhe e panjohur për njerëzit e përtej kësaj zone.

Shkolla ndodhet disa kilometra më tej, shëndetësi sigurisht nuk ka. Furnizimet bëhen me krahë ose me kafshë, në një vend që duket sikur, po të ngriheshe vetëm pakëz, do mund të shikoje Tiranën e Elbasanin, aq afër sa mund t’i prekje me duar.

“Mos pyesni fare si e kemi hallin. Lodhemi shumë ne; me krahë, me baltë, me njërën e me tjetrën. Llogarit, mosha ime 60 vjeç, e këputur, e vrarë dhe e dërrmuar nga jeta. Sa në kooperativë, sa këtu. Një trung njerëzish kemi qenë”, tha Hanife Haka.

“Fëmijët shkojnë në shkollë por shumë larg, atje poshtë se këtu s’kemi. Makina te ne s’vjen, as motorët jo. Përroi atje, unë kam frikë se rrëzohet edhe lopa, jo më të shkosh përtej tij në këmbë”, tha Zenepe Bunga.

Shumë shtëpi flasin me dritaret boshe, me zgavrat e krijuara pas ikjes së banorëve, që sigurisht do të ktheheshin menjëherë, nëse diçka do të investohej. Ngadalë do të merrnin veten, e ndoshta do të punësonin edhe të tjerë, duke i dhënë rrugë ekonomive fillimisht të brishta, por të mbështetura siç duhej, do të mund t’ia dilnin mbanë e të ngriheshin në një nivel të respektueshëm.

Në mos qoftë 1 km rrugë e shtruar, të paktën një traktor për të hapur një shteg, disa ura qoftë edhe druri. Një mbështetje fare e vogël, për t’i dhënë kësaj zone një jetë të denjë. Dikush duhet ndoshta të kuptojë, se njerëzit kanë nevojë të ndihen pjesë e një shteti, të ndihen pjesë e një vendi, e një politike që kërkon nga ata diçka më shumë se votën.

Gjormi fshihet pas autostradës së shpejtë Tiranë-Elbasan. Nga këtu duken të gjitha makinat që ikin e vijnë. Ndërsa banorët duhet të jetojnë në botën e tyre paralele.

Top Channel