Leskaj: Ngjarja në Kumanovë, e rrezikshme. Shkupi të zbatojë “Ohrin”

23/05/2015 00:00

Nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të SEECP, Valentina Leskaj, duke komentuar ngjarjet e fundit në Kumanovë, ka deklaruar se situata në vendin fqinj rrezikon të përkeqësohet, nëse ngjarja nuk merr vlerësimin e duhur.

Në fjalën e saj, në punimet e kësaj Asambleje, znj. Leskaj nënvizoi se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është e vetmja mënyrë për të shmangur përplasjet ndëretnike në Maqedoni.

“Shpreh keqardhjen e thellë për jetët e humbura në incidentin e Kumanovës. Situata në Maqedoni është serioze dhe mund të përbëjë rrezik, nëse nuk vlerësohet siç duhet. Zhvillimet e fundit në Kumanovë kanë dhunuar të drejtat dhe marrëdhëniet ndëretnike. Këto marrëdhënie mbeten delikate përsa kohë Marrëveshja e Ohrit zbatohet pjesërisht”, tha Leskaj.

Sipas saj, mungesa e transparencës rreth asaj që ndodhi në Kumanovë e bën edhe më të vështirë situatën. “Gjuha e urrejtjes duhet zëvendësuar me angazhimin për të respektuar të drejtat e njeriut dhe ligjin”, kërkoi nënkryetarja e Asamblesë Parlamentare të SEECP, Leskaj.

Top Channel