Prishtinë, të shtunën përurohet shtatorja e Ismail Qemalit. Në ceremoni, Jahjaga dhe Rama

22/05/2015 00:00

Të shtunën, në një ceremoni solemne do të bëhet përurimi i shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë. Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, të pranishëm në këtë ngjarje do të jenë Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe personalitete nga sfera politike e kulturore e vendit.

Ceremonia e vendosjes së shtatores së Ismail Qemalit do të bëhet në hapësirën para ish-Pallatit të Shtypit “Rilindja”, në bashkë-organizim me Bashkinë e Vlorës.

Vendosja e shtatores së Ismail Qemalit në Prishtinë është nismë e disa biznesmenëve të Vlorës dhe është përkrahur nga Komuna e Prishtinës. Ndërsa më 28 Nëntor, si pjesë e këtij bashkëpunimi, do të vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në Vlorë.

Shtatorja e Ismail Qemalit është punuar nga skulptori kosovar, Luan Mulliqi, në kuadër të konceptit të të dy qyteteve të pavarësisë, e cila ka lartësi prej rreth 5 metrash. Gjatë ceremonisë do të interpretojnë kori i Filarmonisë së Kosovës dhe Ansambli “Rexho Mulliqi”.

Vendosja e shtatores simbolizon rolin e Ismail Qemalit në pavarësinë e shqiptarëve, si dhe në zhvillimin e kombit shqiptar. Kjo është shtatorja e parë e Ismail Qemalit, që vendoset në Kosovë, ku shumë rrugë dhe shkolla mbajnë emrin e tij prej vitesh.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA