Ja si duket flamuri i planetit Tokë

19/05/2015 00:00

Imagjinoni sikur të ishte viti 2035. Njerëzit kanë arritur të shkelin në Mars, dhe sikurse Neil Amstrong që vendosi flamurin në Hënë, të njëjtin veprim ta bëjnë edhe në “planetin e kuq”, por flamuri të jetë ai i planetit Tokë dhe jo i ndonjë shteti.

Oskar Pernefeldt nga Kolegji i Dizajnit në Stokholm ka krijuar flamurin e planetit ku njerëzit jetojnë aktualisht. Në projektin e quajtur “The International Flag of Planet Earth”, Pernefeldt ka shkruar se qëllimi i saj është t’u kujtojë njerëzve se ata ndajnë të njëjtin planet, pavarësisht nacionaliteteve.

Flamuri ka përmasat e një flamuri normal, fusha e saj është blu, që simbolizon ujin në planetin tonë, ndërsa shtatë rrethe, që simbolizojnë shtatë kontinentet, janë të lidhura mes vete, që nënkuptojnë se në Tokë gjithçka, në mënyrë direkte ose indirekte, është e lidhur. Ndërkohë, forma që krijojnë këto rrethe, simbolizojnë formën e planetit.

“Gjithmonë kam menduar pse planeti ynë nuk ka një flamur. Ai do duhej të përdorej në misionet në planetët e tjerë, në vend të atyre te shteteve që kanë dërguar këto misione”, është shprehur Pernefeldt.

Suedezi ka bërë edhe disa foto ilustruese, ku një astronaut vendos në Mars flamurin e Tokës, apo disa tifozë në stadium që vendosin të tregojnë respektin për planetin ku jetojmë.

Gjithashtu, përmes fotove, flamuri shfaqet edhe në tryeza ku merren vendime të mëdha, por edhe në shtëpi, ku lihet mënjanë flamuri i shtetit dhe shpaloset ai i Tokës.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel