Do protestonte, e ëma ‘e kap me shpulla’

28/04/2015 00:00

Për shumë manifestues, pengesa më e madhe gjatë një proteste janë barrikadat me policë, por s’ishte kështu për një të ri amerikan.

I veshur me të zeza, i maskuar dhe me një çantë shpine, ndoshta të mbushur me molotov e sende të tjera të forta për t’u përleshur me policinë, i riu është njohur nga nëna e tij. Kjo e fundit ka nisur ta godasë me shpulla dhe ta tërheqë me vete, për të mos e lejuar të marrë pjesë në protestën e dhunshme.

E gjithë skena ka ndodhur përpara dhjetëra kamerave të vendosura në rrugët e qytetit amerikan të Baltimores, ku së fundmi janë zhvendosur edhe trupa të Gardës Kombëtare për të garantuar sigurinë.

Autoritetet përshëndetën veprimin e nënës, duke theksuar se është një shembull i mirë se ata që mbështesin dhunën janë një grusht personash.

Në Baltimore, qindra protestues janë përleshur dhunshëm me policinë, pas vdekjes në rrethana ende të paqarta në paraburgim të të riut me ngjyrë Freddie Gray. Të paktën 15 policë dhe dhjetëra protestues kanë mbetur të plagosur gjatë përleshjeve.

Top Channel