Liberland, shteti pa taksa…dhe pa banorë

21/04/2015 00:00

Keni menduar ndonjëherë të jetoni në një shtet ku nuk paguhen taksa? Ku i vetmi detyrim është zbatimi i parimit ‘jeto dhe lër të tjerët të jetojnë’?

Një brezi toke prej 7 km/katrorë, njohur si ‘toka e askujt’ në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë i ka dalë pronari.

Vit Jedlicka, një politikan 31-vjeçar nga Republika Çeke është vetshpallur President i Republikës së Liberlandit (toka e lira). Liberland ka një flamur me dy ngjyra, të verdhën dhe të zezën dhe një emblemë në mes. Motoja e shtetit është ‘jeto dhe lër të tjerët të jetojnë’.

Gjuha zyrtare është gjuha çeke, por që nuk është pengesë për këdo që dëshiron të bëhet qytetar i këtij shteti. Për këtë mjafton dërgimi i një mesazhi përmes postës elektronike sepse Liberland ende nuk ka një postë zyrtare dhe të plotësosh këto kërkesa: respekt për tjetrin pa dallim gjinie, race, etnie apo fetare, respekti për provën private, e cilësuar e shenjtë, të mos kesh një të kaluar komuniste, naziste apo ekstremiste të çdo lloji dhe në fund të mos kesh kryer krime.

Sipas “presidentit” Jedlicka deri më tani kanë aplikuar mbi 20 mijë persona që duan të marrin shtetësinë e Liberland.

Megjithatë deri këtu ka një problem, jo pak të vogël. Shteti i vetëshpallur nga 31-vjeçari për momentin njihet zyrtarisht vetëm në kokën e tij. Ai thotë se ka dërguar një letër në Zagreb, një në Beograd dhe një tjetër tek Kombet e Bashkuara ku kërkon njohjen.

Në pritje të përgjigjes, (që ndoshta s’do të mbërrijë kurrë) Jedlicka thotë se për shembull ka marrë Principatën e Monakos, Lihtenshtejnin dhe Vatikanin.

FOTO GALERI
2/3
Flamuri i Liberland

Top Channel