Shpërthimi në Lazarat, PD: Sulm me motiv e prapavijë politike

22/03/2015 00:00

Pas sulmit me tritol në shtëpinë e babait të kryetarit të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko, reagoi edhe Partia Demokratike, e cila dënoi ngjarjen dhe e cilësoi atë si një sulm me motiv e prapavijë politike.

“Ky është një agresion i përsëritur ndaj banesës së zotit Bejko, dhe policia nuk ka marrë masat e duhura në rastet e mëparshme. Ky sulm mbi baza politike, bëhet edhe më i rëndë kur ndodh në kohën që kryeministri viziton Gjirokastrën”, thuhet në deklaratën e PD.

Partia Demokratike thotë se dhuna ndaj përfaqësuesve dhe zyrave të Partisë Demokratike po shtohet teksa po afrojnë zgjedhjet. Gjithashtu Partia Demokratike i kërkon qeverisë të distancohet nga këto akte dhe të ndalojë frymëzimin e agresionit ndaj opozitës.

“Ne e dimë se këto janë shenjat e agonisë së një pushteti arbitrar që ka humbur besimin e popullit, por asgjë nuk e justifikon goditjen e kundërshtarit. Partia Demokratike dhe demokratët janë sot më të fortë se kurrë dhe bashkë me qytetarët do tia dalim të largojmë oligarkinë që po sundon me dhunë”, mbyllet deklarata e PD në lidhje me sulmin në banesën e kreut të kësaj partie në qytetin e Gjirokastrës.

Top Channel