Rusia humb territor në Ukrainë për herë të parë që nga viti 2023, forcat ukrainase fitojnë qindra kilometra në Zaporizhia, Kharkiv dhe Donjetsk Ambasadori rus në OKB, Vitali Churkin, akuzoi Ukrainën se po përpiqet të minojë marrëveshjen e Minskut pas kërkesës së saj për dërgimin e trupave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në lindjen e trazuar të vendit, që nuk njeh qetësi prej muajsh tashmë.
Kjo lëvizje e kreut të shtetit ukrainas, për Churkin ngre dyshime serioze mbi dëshirën e tij për funksionimin e paktit të arritur me shumë mundim.
Më herët, gjatë takimit urgjent të sigurisë, të organizuar pak pas tërheqjes së ushtarëve të Kievit nga qyteti strategjik i Debaltsevës, Poroshenko shprehu bindjen se trupat e Kombeve të Bashkuara do të ndihmonin të garantohej qëndrueshmëria e siguria, në një kohe kur është e qartë për të gjithë, se premtimi i paqes nuk po mbahet.
Kërkesa e tij u aprovua nga Këshilli kombëtar i Mbrojtjes, sekretari i të cilit bëri këtë pohim për gazetarët.
“Çështja u diskutua dhe u mor vendimi t’i bëhet thirrje OKB-së dhe Europës për ndërmarrjen e një operacioni paqeruajtes në Ukrainë. Trupat paqeruajtëse duhet të dislokohen përgjatë linjës së frontit dhe segmenteve kufitare me Rusinë, që kontrollohen nga separatistët”, tha Olexander Turchynov, sekretar i Këshillit kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Ukrainë.
Gati 2.500 ushtarë ukrainas u tërhoqen nga Debaltseve të mërkurën. Raportet në media i përshkruanin luftimet e atjeshme si mjaft intensive, edhe pse pushimzjarri hyri në fuqi që mesnatën e së shtunës.
Avancimi i rebelëve në këtë qytet është kritikuar ashpër nga Perëndimi, por në terren, vërejtjet e ndërkombëtarëve kanë pasur pak efekt. Përgjatë tre ditëve të fundit, nga përplasjet e armatosura kanë humbur jetën 22 ushtarë ukrainas.
Rebelët pretendojnë se bilanci i vdekjeve është më i lartë se kaq, por Kievi zyrtar e mohon. Për ekspertët, marrëveshja e Minskut mbase nuk ka dështuar ende, por rasti i Debaltsevës në pikëpamjen e tyre tregon se paqja në Ukrainen lindore nuk mund të vendoset vetëm me bisedime diplomatike.
Top Channel