Ndërkohë që pjesa më e madhe e ministrave të Financave nga e gjithë Europa kanë zhvilluar takime të urgjencës në Bruksel në përpjekje për të mbajtur Greqinë si pjesë te Eurozonës, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov i bëri një ofertë shtetit grek.
Lavrov, në emër të qeverisë së Moskës, siguroi Greqinë se Rusia do të mund ta financojë vendin, për të lehtësuar sadopak programet shtrënguese që Bashkimi Europian i ka vendosur Tsipras-it.
Sipas ministrit të Jashtëm rus , kjo ndihmë e tyre do t’i japë dorë rindërtimit të ekonomisë greke, ndërsa masat e Eurozonës thjesht do vazhdojnë ta zhysin vendin në një krizë më të thellë.
Disa analistë e shohin këtë si tentativë të Rusisë për ta mbajtur Greqinë larg unionit. Sipas tyre interesi është i dyanshëm, pasi Rusia është në kërkim të aleatëve politikë, ndërsa Greqia të aleateve ekonomikë. Presidenti Vladimir Putin e ka ftuar zyrtarisht Alexis Tsipras për të vizituar Moskën. Ndërsa më herët, kreu i Moskës ka thënë se vërtetë Bashkimi Evropian është i fortë për të rritur sanksionet ndaj Rusisë, por vetë ekonomia e Eurozonës gjendet mes kolapsit.
“Perëndimi nuk ka një strategji përtej sanksioneve, dhe ky është problemi i vërtetë I tyre”, ka deklaruar Putin.
Greqia u detyrua të pranojë disa raunde te shkurtimeve në shpenzimet publike si kusht për marrjen e një pakete ndihme nga vende të tjera anëtare të BE-së. Masat shtrënguese u priten me tensione nga populli grek.
Pakënaqësia më e madhe e tyre vjen kryesisht nga Gjermania, e cila i kërkon vazhdimisht Greqisë t’i qëndrojë strikte kushteve të marrëveshjes së vitit 2010, pavarësisht nga fakti se ajo nuk ka rezultuar të japë ndonjë shërim kuptimplotë ekonomik për vendin.
Top Channel