“Femrat perëndimore ngasin makinën pasi nuk e kanë problem nëse përdhunohen”

11/02/2015 00:00

Një historian nga Arabia Saudite e justifikoi ligjin e vendit të tij që nuk lejon femrat të ngasin makinën duke thënë se ato mund të përdhunohen nëse makina i prishet rrugës. Ai shtoi se në vendet perëndimore krimet seksuale “nuk janë ndonjë gjë e madhe” për femrat e për këtë arsye ato lejohen të drejtojnë vetë mjetin.

Në një intervistë për televizionin saudit ‘Rotana Khalijiyya TV’, historiani Saleh al-Saadoon tha se nëse makina i ngel në rrugë, një femër mund të përdhunohet, por në vendet perëndimore femrat nuk e vrasin mendjen aq shumë për përdhunimin sa ato saudite.

“Ato nuk e vrasin mendjen nëse përdhunohen anës rrugës, por femrat tona po”, tha al-Sadoon.

Gazetarja e habitur iu përgjigj me pyetje: “Prit pak. Kush ju ka thënë që femrat perëndimore nuk e vrasin mendjen nëse përdhunohen anës rrugës?” Historiani ia ktheu: “Nuk është ndonjë gjë e madhe për to, përjashto aspektin psikologjik. Te ne problemi është shoqëror dhe fetar.”

Al-Sadoon shtoi se femrat saudite trajtohen si mbretëresha dhe vetëm me një lëvizje të dorës, babai, xhaxhai, djali apo nipi shndërrohet menjëherë në shoferin e saj personal.

Në Arabinë Saudite, nëse një femër kapet duke ngarë makinën, dënohet me goditje kamzhiku.

Top Channel