Shitet 300 milionë dollarë piktura e Gauguin

07/02/2015 00:00

Piktura me dy vajza tahitiane, që mban firmën e artistit francez Gauguin, është shitur për 300 milionë dollarë, duke shënuar rekordin e veprës më të shtrenjtë artistike të shitur ndonjëherë.

Piktura “Nafea Faa Ipoipo”, që do të thotë “Kur do të martohesh?”, u punua në vitin 1892 dhe zotërohej nga koleksionisti zviceran Rudolf Staechelin, nga qyteti i Bazelit.

Burime të pakonfirmuara sugjerojnë se ajo iu shit një muzeu në Katar. Shteti i vogël por i pasur me naftë më parë kishte paguar çmimin më të lartë edhe për një vepër të Paul Cezanne, që u shit për 259 milionë dollarë.

Për dekada vepra e Gauguin i ishte huazuar muzeut të artit në Bazel, por zoti Staechelin vendosi ta shiesë atë pas një mosmarrëveshjeje me drejtuesit e muzeut.

Koleksionisti tha për “New York Times” se nuk do ta publikojë identitetin e blerësit. Identiteti i këtij të fundit nuk është i qartë, por gazeta prestigjoze amerikane, e cila raportoi e para shitjen, citoi burime që thoshin se u ishte shitur blerësve në Katar.

Autoritetet në vendin arab nuk e kanë konfirmuar ende blerjen, por familja mbretërore në vitet e fundit ka shpenzuar shumë të mëdha për vepra arti perëndimore.

Sheiku Saud bin Mohammed Al Thani, ish-ministër i Kulturës që ndërroi jetë vitin e kaluar, lëvroi mbi 1 miliard dollarë nga fondet e shtetit për vepra arti.

Top Channel