Arrihet marrëveshja për mos mbylljen TikTok në SHBA, akordi mund të nënshkruhen të enjten nga Trump dhe Xi Jinping Ligjvënësit francezë, të mbledhur për herë të parë që pas ngjarjeve të javës së kaluar, e nisën seancën parlamentare me një minutë heshtjeje në nder të 17 viktimave të terroristëve brenda e jashtë selisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”, përpara se të këndonin edhe himnin kombëtar “Marsejezën”.
Duke folur përpara Asamblesë Kombëtare, kryeministri Manuel Valls tha se terroristët dëshironin të vrisnin “shpirtin e madh francez”, përpara se të shtonte: Por Franca ende qëndron heroike, është këtu, është sërish e pranishme.
Duke iu referuar marshimit të unitetit të mbështetur nga miliona pjesëmarrës si një “përgjigje të mrekullueshme” ndaj dhunës, ai lëshoi edhe alarmin: Franca është në luftë me xhihadizmin dhe terrorizmin, por kurrsesi në luftë me Islamin dhe muslimanët.
Ndërkaq, ministri francez i Mbrojtjes ka deklaruar këtë të martë se luftëtarët e Shtetit Islamik duhen shfarrosur, duke këmbëngulur gjithashtu se Parisi nuk do të tërhiqet nga operacionet ushtarake përtej kufijve të saj, pavarësisht vrasjes së 17 personave të pafajshëm nga duart e militantëve të rritur në Francë javën e kaluar.
Pas Shteteve të Bashkuara, Franca ka numrin më të madh të avionëve dhe trupave të përfshira në koalicionin që lufton Shtetin Islamik, i cili gjatë vitit të kaluar mori në kontroll pjesë të konsiderueshme në Irak dhe Siri. Parisi ka gjithashtu edhe 3500 trupa e forca speciale, që operojnë në rajonin “Sahel-Sahara”, në Afrikën Veriore, të cilët janë vënë në “gjueti” të militantëve të Al Kaedës.
Franca ndërhyri në Mali për të rrëzuar militantët islamikë nga ish-kolonia e saj në janar të 2013-s, ndërsa ministri i Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian, thekson se dy vjet më pas forcat franceze duhet të luftojnë “të njëjtin kërcënim” tashmë në atdheun e tyre.
Parlamenti francez votoi më pas, me 488 vota pro dhe vetëm 1 kundër, në mbështetje të zgjerimit të misionit ushtarak të Francës në Irak, 4 muaj pas nisjes së tij.
Top Channel