Të pikturosh në trupin tënd një simbol kombëtar! Kjo është tendenca më e fundit e tatuazheve në Shqipëri.

Në këto kohë kur ndienjat patriotike janë ngritur lart, secili zgjedh mënyrën e tij për të treguar se sa shumë e do Shqipërinë, flamurin apo historinë e kombit tonë. Olsi Sejdi tregon se, sidomos pas përvjetorit të 100 të shpalljes së Pavarësisë, njerëzit rendin për të pasur një tatuazh unik me simbolet kombëtare.

“Që nga momenti i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë u ndje shumë rritja e këtyre kërkesave, por edhe këtë vit, pas situatës së nxehtë për simbolet kombëtare të krijuar ngjarja në Serbi, u rritën edhe më shumë. Të gjithë e ndiejnë veten më patriotë”, thotë Olsi, artist tatuazhesh.

Mes shumë dëshirash e mundësish zgjedhjeje, Olsi tregon se cilat janë motivet më të preferuara për t’u bërë tatoo.

“Skënderbeu, shqiponja apo edhe ndërthurje mes tyre, por edhe simboli i kombit tonë dhe stema e 100-vjetorit të Pavarësisë. Për t’u theksuar edhe ajo e hartës së Shqipërisë etnike. Shfrytëzohet gjithashtu edhe harta e sotme e kufijve shqiptarë, pothuajse çdo simbol që ka lidhje me patriotizmin”, shton më tej Olsi.

Kjo formë e shfaqjes së ndienjave patriotike duket se nuk ka dallime të mëdha mes meshkujve apo femrave.

“Sigurisht që kundrejt simboleve kombëtare janë më të shumtë meshkujt, por nuk mbeten pas as femrat. Ndërsa mosha është e papërcaktueshme, sepse vijnë nga mosha 18-19 vjeç e mund të shkojë deri në moshën 50-vjeçare”, tregon Olsi.

Atraksioni i kohëve të fundit i dedikohet “drone”-it të famshëm të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Tashmë tatuazhet e reja quhen “Autochthonous”.

“Atë ditë ka pasur dyndje të madhe, gjë që vazhdoi edhe dy javë më pas, sepse në të gjitha rrjetet sociale apo mediat bëri jashtëzakonisht shumë bujë, e gjithsecili përpiqej të tregohej kush më shumë patriot se të tjerët”, shprehet Olsi.

Duket se një flamur në Facebook nuk mjafton. Simbolet kombëtare po skaliten gjithnjë e më shumë në trupin e shumë shqiptarëve.

Top Channel