Indonezi, kapen sinjale nga avioni i rrëzuar

09/01/2015 00:00

Sinjale që dyshohet se mund të kenë ardhur nga kutitë e zeza janë kapur në detin e Javas, në Indonezi, nga skuadrat e shpëtimit që po kërkojnë mbetjet dhe trupat e pasagjerëve të avionit “AirAsia”.

Komandanti i forcave të armatosura indoneziane, gjenerali Moeldoko, tha për BBC se një grup polumbarësh është dërguar për të kontrolluar.

Sinjalet u kapën në afërsi të vendit ku më herët u gjet bishti i avionit. Autoritetet thonë se kutitë e zeza mund të jenë ndarë nga pjesa e mbrapme e avionit.

Fluturimi “QZ8501” u zhduk nga radarët më 28 dhjetor teksa udhëtonte me 162 persona në bord, nga Surabaja për në Singapor. Nga rrëzimi i tij nuk ka pasur të mbijetuar.

“Ne kemi marrë informacione të reja që sugjerojnë se lokalizuesi ka kapur sinjale. Po lutemi që të jenë kutitë e zeza, por do të jenë polumbarët ata që do ta konfirmojnë”, deklaroi Santoso Sayogo, hetues pranë Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Transporteve.

Kutitë e zeza zakonisht ndodhen në pjesën fundore të avionit. Ato janë projektuar që t’u mbijetojnë përplasjeve dhe ujit dhe përmbajnë qarqe lokalizuese që lëshojnë të ashtuquajturat “sinjale” për të paktën 30 ditë.

Gjetja e tyre ka qenë prioriteti kryesor i skuadrave të shpëtimit pasi ofrojnë të dhëna të rëndësishme mbi momentet e fundit të fluturimit, para rrëzimit të tij.

Shkaku i rrëzimit ende nuk dihet, por avioni hasi probleme të shkaktuara nga moti i keq dhe pilotët e tij kërkuan një shteg tjetër fluturimi para se komunikimi të ndërpritej.

Top Channel