Ka qenë një kohë, kur kyçja në dhomën e fëmijëve dhe adoleshentëve të pabindur konsiderohej dënim. Kjo gjë nënkuptonte t’i bënte ata të ndiheshin të izoluar dhe të përjashtuar nga gjithçka, në mënyrë të tillë, që ata të mund të merrnin një mësim.

Por sot, për pjesën më të madhe të adoleshentëve, qëndrimi vetëm në dhomë vështirë të merret si izolim, e aq më pak si një formë dënimi. Kjo, sepse teknologjia e sotme ka bërë të mundur, që kapërcimi i mureve të marrë vetëm një çast kohë.

Për shumë të rinj, qëndrimi vetëm në dhomë do të thotë të ngjiten pas ekraneve, të luajnë lojra, të dërgojnë mesazhe deri natën vonë, të shohin video në Youtube, apo në forma të tjera. Aspak mërzitshëm, apo jo? Epo kohërat kanë ndryshuar…

Së pari telefoni. Ai që do të shërbente thjesht si një mjet komunikimi zanor në distancë, tani është shndërruar në një pajisje shumëshërbimshe: një mjet informativ, argëtues, e të tjera.

Rrjetet sociale. Edhe ato e kanë tejmbushur jetën tonë. Na kanë zbrazuar, apo na kanë pasuruar? E sigurt është se intensiteti i komunikimit virtual po zhvesh gjithnjë e më shumë dëshirën për të takuar njerëz, e për të kaluar fizikisht kohë me ta.

Por, çfarë bënte bota përpara se të lindte media sociale? Përpara se gishti i madh i dorës të të lidhte brenda një sekonde me gjëra të ndryshme virtualisht?

Fotografitë e tua nuk ishin publike, por të ruajtura në albume fizike, ku mund të zgjidhje t’i ruaje përjetësisht të kyçura aty.

Nuk e vrisje shumë mendjen se të tjerët mund të zbulonin ndonjë gjë rreth teje, apo ku ndodheshe. Tani duhet të vrasësh mendjen si të heqësh qafe “tag”-imet e miqve me të cilët del, në mënyrë që të tjerët mos të marrin vesh gjë për ty.

Përpara mediave sociale kishe marrëdhënie të vërteta. Familja ishte gjithmonë bashkë dhe miqtë gjithashtu të përfshirë në jetën tuaj. Po tani?

Aktualisht mund të lidhesh në një sekondë me skajin më fundor të botës, të marrësh vesh lajme e të mësosh se çfarë ndodh atje në kohë reale. Teknologjia e ka bërë më të afërt virtualisht njerëzimin, por a jemi kështu edhe fizikisht?

Top Channel