2015-a, viti i spektaklit kozmik

05/01/2015 00:00

Katër eklipse Dielli e Hëne duke filluar nga fundi i marsit; dy takime të jashtëzakonshme të Venusit e Jupiterit, që afrohen shumë pranë njëri-tjetrit më 30 qershor, e më pas në tetor nuk do t’i ndajë veçse një gradë; shi meteorësh; sonda kozmike në hulumtim të universit: 2015-a premton të jetë një vit spektaklesh qiellore.

Eventi më i jashtëzakonshëm astronomik i vitit konsiderohet eklipsi i plotë diellor më 20 mars. Hëna do të mbulojë me një fashë të hollë e të gjatë Diellin, e për disa minuta mbi Atlantikun Verior dhe zonën polare do të bëhet natë.

Më qartë, eklipsi do të shihet në Ishujt Faroe; adhuruesit e qiellit në Europë dhe Afrikën e Veriut do të mund ta shohin vetëm pjesërisht.

Eklipsi i dytë diellor parashikohet më 13 shtator, e do të shihet më mirë në jug të Afrikës e në pjesën jugore të Oqeanit Indian. Më 4 prill e 28 shtator kemi dy eklipse të plota të Hënës. Eklipsi i plotë zgjat 12 minuta, ndërkohë ata të pjesshmit mund të shkojnë edhe më shumë.

Por kjo nuk është e gjitha. 14 korrikun e këtij viti, sonda e NASA-s “New Horizon” pritet t’i afrohet planetit më të largët të sistemit tonë diellor, Plutonit. Planeti “xhuxh” do të presë kështu të parën vizitë nga Toka.

Sonda “Rosetta” vazhdon gjithashtu misionin e saj me shoqërimin e kometës “Tshurjumos-Gerasimenko”, e cila në gusht do të kalojë në orbitën më të afërt me Diellin. Edhe nëse moti bashkëpunon, shirat e mëdhenj të meteorëve nga janari deri në korrik do të pengohen nga një Hënë tepër e shndritshme.

Megjithatë, kthjelltësia e qiellit pastaj, nga gushti deri në dhjetor, garanton – sipas ekspertëve – spektakle për të mos u humbur.

Top Channel