Poloni, zgjohet gjatë operacionit në tru, pyet mjekët: Si po shkon ndërhyrja?

04/01/2015 00:00

Iga Jasica, 19-vjeçare nga Polonia, është zgjuar gjatë fazës më decizive të një ndërhyrjeje në tru për heqjen e një mase tumorale, në spitalin e Katovicës, pikërisht në një sallë operacionesh ku mbizotëronte heshtja dhe përqendrimi ishte maksimal.

Mjekët kanë ngelur të surprizuar nga kjo ngjarje, pasi adoleshentja jo vetëm që kishte mposhtur efektin e anestezisë, por edhe i kishte pyetur kirurgët se “si po shkonte ndërhyrja”.

Nga kjo ndërhyrje do të varej edhe jeta e Igas, e për fat të mirë mjekët kirurgë ia dolën të ruanin kushtet e nevojshme për një operim, edhe pse flisnin gjatë gjithë kohës me vajzën, e cila ishte zgjuar në një fazë delikate me trurin e saj të ekspozuar ndaj mjedisit rrethues.

Sipas ekspertëve, gjatë operacionit mund të jenë prekur mekanizma të trurit që e kanë zgjuar adoleshenten pavarësisht anestezisë. Megjithatë, mjekët kanë nisur hetimet për të kuptuar nëse doza e anestezisë është dhënë në mënyrë korrekte. “Pavarësisht gjithçkaje, vajza nuk ka ndierë asgjë, e nuk ka qenë kurrë e rrezikuar gjatë ndërhyrjes”, ka komentuar neurokirurgu Dawid Larysz.

Por, pasojat duket se kanë mbetur disi, pasi Igas nuk i kujtohet mirë se çfarë ka ndodhur. “Nuk mbaj mend. Mjeku më tha se gjatë operacionit kemi folur për macet, të cilat unë i dua shumë. Nuk munda të shijoja Krishtlindjen me familjen për shkak të këtij operacioni, por kam marrë dhuratën më të mirë të mundshme, pasi tashmë ndihem mirë”.

Top Channel