Australi, mbahen peng stafi dhe klientët e një kafeneje në Sidnej

15/12/2014 00:00

Me qindra efektivë policie mbajnë të rrethuar kafenenë “Lindt” në Sidnej të Australisë, ku një person i armatosur ka marrë peng disa vetë. Incidenti ndodhi herët në mëngjes, kur njerëzit që nisin punën filluan të mbërrijnë si zakonisht në sheshin “Martin Place”.

Dëshmitarët tregojnë se si, papritur në mesin e asaj lëvizjeje të zakonshme, të cilën në dukje asgjë nuk do ta shkëpuste nga rutina e përditshme, një burrë me çantë dhe armë në dorë hyri në kafene.

10 punonjës dhe 30 klientë besohen të kenë qenë brenda ambienteve të saj në ato momente. Të gjitha zyrat pranë “Lindt”-it u evakuuan fill pas ngjarjes dhe policia u kërkoi njerëzve rreth e rrotull të mos dalin nëpër rrugë e të mos hapin dritaret.

Mediat e huaja e përshkruajnë si gjigant operacionin e forcave të sigurisë, diçka që pak banorë të Sidnejt mund ta kenë parë ndonjëherë deri më sot.

Rreth 6 orë nga fillimi i rrethimit, tri persona dolën me vrap nga ndërtesa ku ndodhet kafeneja. 2 të tjerë i ndoqën 1 orë më vonë. Nuk është e qartë nëse ata i ka liruar pengmarrësi apo kanë arritur vetë të largohen.

Negociatorët e policisë kanë kontaktuar me agresorin, që ka folur edhe me mediat lokale, e thuhet të ketë paraqitur disa kërkesa.

Kryeministri australian Tony Abbott u shpreh thellësisht i tronditur nga ngjarja, ndërsa shtoi se Australia është një vend i hapur e miqësor me një shoqëri zemërgjerë. Asgjë nuk duhet ta ndryshojë – tha shefi i ekzekutivit, – ndaj i kërkoj të gjithë australianëve të vazhdojnë sot ditën e tyre si zakonisht.

Incidenti, sipas gjasave, ka sfond terrorist. Tri persona dukshëm të shqetësuar, që mendohen të jenë pjesëtare të stafit, kanë mbajtur në një dritare një flamur të zi, ku shkruhej “nuk ka zot tjetër veç Allahut dhe Mohamedi është lajmëtari i tij”.

Flamuri është i ngjashëm me atë të përdorur nga disa grupe xhihadiste, megjithatë ndryshon nga ai i militantëve të Shtetit Islamik.

FOTO GALERI
2/16

Top Channel