Protokoll bashkëpunimi Shqipëri-Itali

12/12/2014 00:00

Qeveria shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan paraditen e të premtes,
një protokoll bashkëpunimi për përiudhën kohore 2014-2016 me vlerë 81.7
milionë euro, nga të cilat 56.7 milionë euro janë kredi e butë, 20
milionë euro konvertim borxhi dhe 5 milionë euro grant.

Këto fonde do të përdoren për Zhvillimin  Ekonomik, me fokus nxitjen e Investimeve të Huaja, me 22.4 milionë euro. Bujqësinë dhe Zhvillimi Rural, e financuar me 5 milionë euro. Ndërsa Sektori Energjetik mbështetet me 16.2 milionë euro; dhe 10.5 milion euro do të shkojnë për sektorin e  Ujësjellës-Kanalizimeve.

Si fazë e dytë  e Programit të Konvertimit të Borxhit për sektorët socialë me një fond prej 20 milionë euro do të përfitojë sektori i Arsimit dhe Formimit Profesional, me 5 milionë euro. Qeverisja e mirë, Demokratizimi shteti Ligjor në mbështetje të Reformën Territoriale-Administrative përfitojnë  0.8 milionë euro.

Për palën shqiptare firmosi zëvëndëskryeministri Niko Peleshi.

“Edhe ky protokoll mbetet i rëndësishëm sepse kap një shumë prej 81.7 milionë euro, që përfshin disa fusha. Ky protokoll, me të vërtetë përfaqëson denjësisht edhe siç duhet jo vetëm prioritetet e mbështetjes italiane për Shqipërinë, por edhe prioritetet e qeverisë shqiptare për zhvillim për ditët në vazhdim”, tha Peleshi.

Një falenderim të vecantë Peleshi ia dedikoi për ambasadorin Massimo Gaiani dhe zyrën e Koperacionit Italian në Tiranë për bashkëpunimin e ngushtë në hartimin e protokollit të ri të bashkëpunimit.

“Jam me të vërtetë i lumtur me mbërritjen në nënshkrimin e këtij protokolli të ri, i cili pason nënshkrimin e marrëveshjes politike të nënshkruar në korrik të këtij viti nga ish-ministrja e Jashtme italiane Mogeri dhe nga homologu i saj shqiptar Ditmir Bushati. I kemi kushtuar një vëmendje të veçantë sektorit privat me një shifër prej 25 milionë euro në mbështetje të sipërmarrjes shqiptare të vogla dhe të mesme. Sigurisht nuk dua të lë pa përmendur sektorin e arsimit profesional, që është me të vërtetë një investim kyç në burimet njerëzore dhe për këtë, ne do të përqëndrohemi në strukturat e universiteteve përfshi ato të formimit profesional që kap shifrën e 5 milionë eurove”, tha Gaiani.

Kooperacioni Italian për Zhvillim është aktiv në Shqipëri që prej vitit 1991, më një mbështetje që kalon vlerën e 700 milionë euro.

Top Channel