Izrael, zgjedhje të parakohëshme më 17 mars

03/12/2014 00:00

Izraelitët do të votojnë më 17 mars, dy vite para përfundimit të
mandatit të kësaj legjislature, një lëvizje që mbërriti pas shkarkimit
nga ana e Kryeministrit Benjamin Netanyahu të Yair Lapid dhe Tzipi
Livni, dy udhëheqës të partive të qendrës pjesëmarrëse në koalicionin e
deritanishëm.

Data 17 mars është përzgjedhur në konsensus mes të gjitha partive dhe 84 deputetë e Knesset, parlamentit izraelit votuan pro shpërndarjes dhe përgatitjes së vendit pë zgjedhje të reja. Një ditë më parë, Netanyahu akuzoi dy të shkarkuarit se po komplotonin kundër tij.

Koalicioni i deritanishëm i qendrës dhe i qendrës së djathtë përbëhej nga partia Likud e udhëhequr nga Netanyahu dhe nga katër parti të tjera.

Yair Lapid mbante postin e Ministrit të Financave dhe njëkohësisht është kreu i partisë Yesh Atid, ndërsa Tzipi Livni drejton partinë Hatnuah dhe mbante postin e Ministres së Drejtësisë.

Një ditë më parë Netanyahu deklaroi se e kishte të pamundur të drejtonte koalicionin. “Nuk mund të tolerojmë një opozitë brenda qeverisë”, tha ai.

Që të dy ish-ministrat kanë kritikuar qendrimet e Netanyahu-t në një sërë çështjes, si Irani, palestinezët dhe e fundit ishte një përpjekje për të kaluar një ligj që forconte natyrën hebraike të shtetit izraelit.

Pas shkarkimit që të dy ish-aleatët e Netanyahu-t e cilësuan vendimin e tij prej ‘burracaku’ ndërsa thanë se zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë vendit miliona dollarë.

Livni paralajmëroi se pa partitë e qendrës, vendi rrezikon të drejtohet nga ekstremistët që me politikat e tyre do të vinin në rrezik të ardhmen e vendit.

Top Channel