SHBA, jepet vendimi për oficerin, nisin protestat

25/11/2014 00:00

Oficeri i policisë në Missouri nuk është akuzuar për të shtënat fatale që i morën jetën një adoleshenti të paarmatosur me ngjyrë në muajin gusht, vrasje e cila u shoqërua nga protesta të dhunshme në St Louis.

Prokurori, McCulloch publikoi vendimin e jurisë, e cila nuk gjeti asnjë provë për të akuzuar oficerin Darren Wilson, i cili më 9 gusht qëlloi për vdekje mbi 18-vjeçarin, Michael Brown.

“Juria doli në përfundimin se nuk ka asnjë shkak për të ngritur një padi ndaj oficerit Wilson”, tha prokurori Bob McCulloch para gazetarëve në Clayton, periferi e St Louis. Ndërsa familjarët e 18 vjeçarit të vrarë u shprehën se ishin “thellësisht të zhgënjyer” me konstatimin jurisë.

Menjëherë pas publikimit të vendimit me qindra persona kanë nisur të protestojnë në mënyrë të dhunshme në Ferguson. Forcat e policisë bënë të ditur se janë dëgjuar të shtëna, shumë makina të policisë janë dëmtuar, ndërsa njërës prej tyre i është vënë zjarri. Forcat e policisë i janë kundërpërgjigjur protestuesve, duke përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës.

Ndërkohë, Guvernatori i Missourit, Jay Nixon, ka deklaruar gjendjen e emergjencës në zonë, si dhe ka thirrur 400 trupa të Gardës Kombëtare për të ruajtur rendin.

Presidenti Barack Obama i bëri thirrje personave që nuk ishin dakord me vendimin e jurisë që të protestojnë në mënyrë paqësore.

Dëshmitarë thanë se Brown i kishte duart e ngritura mbi kokë, në shenjë dorëzimi ndaj oficerit, kur ai u qëllua për vdekje. Policia ka thënë se ka pasur një grindje mes adoleshentit dhe oficerit përpara të shtënave. 

Top Channel