Kur koha mbaron, ndryshon loja

26/10/2014 00:00

Aleksandër Çipa – Në Kosovë, besimi i shprehur përmes votës së sovranit ka mbetur pezull. Kjo pezulli vijon të mbetet në fuqi prej gati pesë muajsh. Është pezulli që politikanët e vendit e konsiderojnë njëzëri “ngërç politik”. Në shumicën e citimeve edhe opinionistët e vlerësojnë semantikisht si të tillë gjendjen e krijuar.

Prej gati pesë muajsh nuk po konstituohen institucionet drejtuese të vendit, ato që lidhen me legjislativin e ri dhe Ekzekutivin e vendit. Kjo tashmë dihet pse ngjet dhe se cilët ka protagonistë.

Koha e katër muajve rrodhi duke e transferuar debatin politik për këtë pezulli sa nga koalicioni postzgjedhor, te rezistenca e qeverisësve të PDK-së, të cilët ende mbesin në detyrë. Në këto kushte, pezullia mori kohën e një 5-mujori, i cili në vijimin e vet, po shkakton një precedent të parë të këtij lloji në Kosovë.

Mirëpo tashmë çdo orë që kalon po delegjitimon, si palën që bën rezistencë, ashtu edhe palën e shumuar në formën e koalicionit postzgjedhor. Dhe pezullia ka për thelb të saj jo vetëm këmbënguljen e kryeministrit të mbetur në detyrë Hashim Thaçi, por edhe vendosmërinë e paarsye që Ramush Haradinaj të jetë Kryeministër i ri i Kosovës. Përballja e tij dhe konsiderimi i paarsyeshëm prej eurodeputetes Doris Pack, që ai të jetë Kryeministri i Kosovës, kanë shkaktuar një moment të ri interpretimi për rolet dhe pozicionet që pretendojnë të marrin krerët e koalicionit postzgjedhor.

Në këtë gjendje pezullie, më në vështirësi po vihet kryetari i LDK-së, z. Isa Mustafa, i cili edhe pse ka pranuar të marrë postin e kryetarit të mundshëm të Parlamentit, nuk ka llogaritur mirë pozicionin që do të kenë deputetët dhe pjesëtarët e tjerë të lidershipit në partinë e vet me këtë ndarje postesh dhe cilësish brenda koalicionit. Ditët e fundit hamendësimet për shkak të lëvizjeve dhe negocimeve informale brenda deputetëve, shtojnë zërat se potencialisht mundësia e Ramush Haradinajt për të qenë Kryeministër i ri i vendit është më e rrezikuar. Nuk është jashtë këtij konteksti edhe rideklarimi i z. Isa Mustafa, që ngutet të kujtojë për shumëkënd pranë tij dhe afër koalicionit se “Karta e LDK-së dhe partnerëve të koalicionit është vota, të cilën disponojnë”. Pjesa pasuese e pohimit të tij virtual, i adresohet PDK-së së z. Thaci, por sërish shton aludimet se “Kartat u kanë djegur atyre që nuk kanë vota dhe atyre që nuk tregojnë vullnet ta sqarojnë mundësinë, që deputetët të gjejnë mënyrën për të konstituar Kuvendin e Kosovës dhe të cilët Vendimit të Gjykatës Kushtetuese i japin karakterin e një letre për marrëveshje politike ndërmjet liderëve, duke pretenduar të ruajnë interesat e partisë në pushtet”.

Natyrisht, deklaratat për gjendjen e pezullisë janë bërë më të shpeshta në ditët e fundit, për shkak edhe të barrierës së Presidentes Jahjaga dhe Gjykatës Kushtetuese për t’u futur më thellë në lojën e interpretimeve dhe të mbylljes së saj përmes konstitucionalizmit.

Nga kjo tërheqje dhe mospërfshirje e tyre, koalicioni postzgjedhor ka mbetur jo vetëm i pakënaqur, por është mbarsur me mëri për Presidenten dhe vetë Gjykatën Kushtetuese, një qejfmbetje kjo e stërprovuar në kohën e gjithë tranzicionit në Shqipëri, madje pse jo edhe më parë në Kosovë.

Mirëpo tashmë aktorët politikë në Kosovë, sido që ta servirin apo përdorin pakënaqësinë, gjenden para një kapërcimi të pamundur. Në parlament nuk ka shumë kohë dhe as mundësi për formula të tjera. Koha e konsumuar përgjatë kësaj pezullie, e ka çuar Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën para një momenti për të rishqyrtuar peshën specifike të të qenët dy forcat kryesore, me peshën specifike më të madhe në elektoratin e vendit. Kjo do të thotë se mbetja e mëtejshme në fuqi, qoftë edhe për dhjetë ditë e këtij “ngërçi” apo kësaj pezullie, delegjitimon çdo të drejtë të tyre para elektoratit, jetës institucionale dhe raportit me ndërkombëtarët.

Për këtë arsye, të parët krerët e koalicionit postzgjedhor duket se taktikisht po i rikthehen konsultimit me elektoratin partiak të tyre, si për shembull Vetëvendosja apo NISMA, ndërkohë që në kafenetë e Prishtinës apo në periferi, ngjet të ndodhin edhe takime apo biseda deputetësh të heshtur dhe meditativë brenda forumeve të partive të tyre. Kushti i panegociueshëm i krerëve të koalicionit për ndryshimin e qeverisë “Thaçi”, po ecën paralelisht me skepticizmin e triumfit të qeverisë “Haradinaj”. Dhe meqenëse koha për krijimin e qeverisë “Haradinaj” me poste të shpërndara në pushtetet e tjera nga koalicioni postzgjedhor tashmë është konsumuar, atëherë në skenën politike po imponohet momenti i lojës “ndryshe”. Java e ardhshme në Kosovë sjell momente të lojës së ndryshuar brenda skenës dhe mes aktorëve politikë. Le ta presim e përcjellim atë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA