Kushtet e BB për kreditimin e energjisë

06/10/2014 00:00

Një dokument i Bankës Botërore, që shoqëron kredinë 150 milionë dollarë
për sistemin energjetik, zbardh në detaje reformën që Qeveria do të
ndërmarrë në këtë sektor. 

Dokumenti parashikon me hollesi, masat për rimëkëmbjen e sektorit si dhe efektin e pritshëm financiar, që ato do të kenë. Ato nisin me uljen e humbjeve dhe përmirësimin e arkëtimeve. Sipas planit, humbjet e energjisë do të ulen nga 40 për qind që janë në 14 për qind në 2019-ën, ndërsa arkëtimet për të njëjtën periudhë do të rriten nga 85 në 93 për qind.

Por edhe pse përmirësimi i këtyre treguesve, lehtëson financat e sektorit, sipas Bankës ai është i pamjaftueshëm, ndaj kërkon dhe një tjetër masë shtesë. Atë të rritjes së tarifave për konsumatorët, me 20 deri në 25 për qind, për një peridudhe të caktuar kohore. Banka nuk e saktëson se brenda sa viteve, çmimi do rritet me 25 për qind mbi nivelin aktual, por thotë se ajo është e nevojshme për të barazuar kostot. Aktualisht çmimi mesatar i energjisë elektrike është 9.5 lekë për kilovat. Me rritjen që propozon Banka, ai shkon në 11.5 lekë për kilovat, ndërkohë që mbetet për t’u parë se si Qeveria do e shpërndajë atë dhe se cilat kategori të konsumatorëve do të mbajnë barrën më të madhe.

Përse falimentoi sistemi energjetik?
 
Në dokumentin që shoqëron kredinë, për herë të parë Banka botërore analizon me hollësi edhe shkaqet që e cuan sistemin energjetik në kolaps financiar. Sipas saj, goditja fatale ishte privatizimi i shpërndarjes, dështimi i të cilit praktikisht e coi në faliment sektorin më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, duke krijuar rreth tij një borxh prej afro 700 milionë dollaraësh.

Për këtë banka bën përgjegjëse kompaninë CEZ, që nuk arriti të ulë humbjet dhe të kryejë investimet, por edhe Qeverinë shqiptare, e cila sipas saj nuk rriti në mënyrën dhe kohën e duhur çmimet e energjisë, si dhe ishte një nga shkaktaret e borxhit duke mos paguar faturat e institucioneve.

Ish-Qeveria e djathtë është përtej çdo dyshimi përgjegjësja kryesore për privatizimin e dështuar të shpërndarjes. Ishte kjo Qeveri, e cila jo vetëm që mori vendimin, por edhe administroi gjithë procesin, i cili më vonë do të rezultonte një nga dështimet më të kushtueshme për qytetarët e varfër shqiptar. Një dështim që ka rreth vetes shumë arsye, që nga papërgjegjshmëria, lojrat politike dhe deri tek flirtet korruptive mes saj dhe CEZ.  

Por përtej ish-Qeverisë dhe CEZ-it, ka dhe një tjetër përgjegjës për këtë dështim, i cili ngarkon mbi qytetarët kosto deri në 1 miliardë dollarë. Dhe ajo është vetë Banka Botërore. Banka ka qenë konsulentja ekskluzive e Qeverisë në gjithë këtë proces dhe ishte ajo që këshilloi termat dhe kushtet e kontratës së shitjes. Madje duke përfituar për këtë edhe një pagesë mbi 3 milionë euro. Para, që i paguan qytetarët si tarifë suksesi për një proces, i cili jo vetëm që sukses nuk ishte, por përkundrazi gati shkallmoi ekonominë kombëtare. Pak kohë më vonë ishte po prapë Banka Botërore që këshilloi Qeverinë në shitjen e katër hidrocentraleve publike tek privatët duke thelluar edhe më shumë deficitin financiar të sektorit.

Dhe këto nuk janë dështimet e vetme në sistemin energjetik. Ka disa të tillë, që nga eksperimenti pilot me menaxhimin komunitar të shpërndarjes e deri tek sponsorizimi i investimit strategjik të TEC-it në Vlorë, i cili edhe pse u pagua 110 milionë euro nga taksapaguesit nuk u vu asnjëherë në punë duke u shndërruar ‘de facto’ në një dështim strategjik. Përtej çdo dyshimi Shqipëria i detyrohet jo pak Bankës Botërore. Financimet qindra milionë dollarë që nga rënia e komunizmit dhe projektet e saj në zbutjen e varfërisë kanë përmirësuar jetën për miliona qytetarë shqiptarë. Por ashtu si suksesi dhe ndihma meritojnë mirënjohjen, ashtu dhe përgjegjësitë nuk mund të mohohen.

Top Channel