Finalja e Kupës e këtij sezoni do të jetë edicioni i 74-të në historinë e kompeticionit dhe do të sjellë përballë Dinamo City-n dhe Egnatian, një duel i njohur tashmë, pasi risjell finalen e sezonit të kaluar, të cilën e fitoi Dinamo City.

Të dyja skuadrat finaliste nuk erdhën rastësisht në aktin e fundit. Ato janë, pa diskutim, dy ekipet që janë mes dominueseve të futbollit shqiptar gjatë gjithë sezonit 2025-2026. Kjo finale e mbrëmjes së nesërme nuk është thjesht një ndeshje, është vazhdimi i një rivaliteti që ka shënuar futbollin shqiptar të viteve të fundit.

Dinamo City siguron për të dytin vit radhazi praninë në finale, teksa klubi numëron plot 14 trofe në Kupën e Shqipërisë. Edhe Egnatia arrin në finalen e saj të katërt, duke pasur tashmë dy trofe, të fituar në vitet 2023 dhe 2024.

Sezonin e kaluar, pikërisht këto dy ekipe u ndeshën në finalen e 73-të të kompeticionit. Ajo finale u fitua nga Dinamo City, duke e bërë finalen e 13 majit një ripërsëritje direkte të asaj përballjeje. Rrogozhinasit vijnë me ndjesinë e hakmarrjes dhe me motivimin e madh për të rikthyer trofeun, ndërsa Dinamo City kërkon ta mbrojë atë si mbajtësja e Kupës në fuqi.

Dy ekipet janë përballur 27 herë në historinë e tyre, me Egnatian që numëron 14 fitore, Dinamo City 4 dhe 9 barazime. Edhe golavarazhi është tregues i dominimit të rrogozhinasve: 33 gola të shënuar nga Egnatia kundrejt 16 nga Dinamo.

Nga njëra anë, Dinamo City, klubi historik i kryeqytetit me 14 Kupa Shqipërie në kabinetin e trofeve, që kthehet në finale si fituesja e fundit, me synimin e qartë për të shkruar historinë e tij të re.

Nga ana tjetër, Egnatia, projekti futbollistik nga qyteti i vogël i Rrogozhinës, që është shndërruar vitet e fundit në një shembull suksesi dhe ambicieje, me dy Kupa dhe dy tituj kampioni që flasin vetë.

Finalja e 13 majit pritet të ofrojë një përballje të fortë dhe spektakolare, ku Dinamo City synon të mbrojë trofeun dhe të konfirmohet sërish kampione, ndërsa Egnatia kërkon të rikthejë Kupën dhe të shtojë një tjetër sukses në historinë e saj.

Top Channel